U shpall “non grata” nga DASH, Berisha nga Kavaja: Gjykatësi i Parisit e pranoi padinë time

schedule18:09 - 26 Tetor, 2021

schedule 18:09 - 26 Tetor, 2021

Sali Berisha, nga Kavaja ku po mban pasditen e së martës “Foltoren” e radhës ka bërë të ditur se gjykatësi i Parisit ka pranuar padinë e ngritur nga ai kundrejt Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Lideri historik i demokratëve e ftoi Blinken që të dërgojë në gjykatë çdo provë apo fakt që mund të ketë kundër Berishës.

“Megjithatë, ju garantoi se ka zero,” tha ish-kryeministri.

Kujtojmë se pasi u fut në “listën e zezë” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Sali Berisha njoftoi në një konferencë për mediat se çështjen do ta dërgonte në gjykatën Gjykatës Korreksionale të Parisit. Ish-kryeministri deklaroi se ka ngritur padi ndaj Antony Blinken, duke e akuzuar për shpifje në lidhje me vlerësimet e dhëna për shpalljen “non grata”

Padinë ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Berisha ia ka besuar avokatit francez Jean-Yves Le Borgne. Në sistemin e drejtësisë franceze, Gjykata Korreksionale është një nga tre dhomat të cilat përbëjnë Gjykatën e Shkallës së Parë.

Sali Berisha dhe familja e tij u shpallen “non grata” nga SHBA më 19 maj. Në një postim në “Twitter” Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, shkroi se ish-kryeministri dhe familja e tij u shpallën zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe ju ndalohet hyrja në vend.

“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, shkroi Blinken. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!