“Do filloj fjalën time me një mirënjohje të pakufishme ndaj jush se qëndruat ju në idealet tuaja më të larta njerëzore, ne jemi sot këtu më të fortë se kurrë. Rrofshi ju, Zoti ju bekoftë”.
Kështu e nisi fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar, Sali Berisha.
Sipas tij, në këtë Kuvend do vendoset jo vetëm për fatet e PD-së, por edhe të pluralizmit.
“Ne mblidhemi sot krenarë sepse pas një eksperience unike në historinë e një force politike në Europë, patëm një ditëlindje të dytë. Më 11 dhjetor të vitit 2021, me një Kuvend historik, rilindi sërish PD-ja, kjo parti nuk vdes kurrë. Ajo jeton dhe do të jetojë në idealet më fisnike të shqiptarëve.
Ju e rithemeluat atë sepse donit të fshinit nga faqja e dheut, regjimin e bazuar në krimin, drogën dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve. Ju u bashkuat dhe ne rithemeluam PD-në, pasi donim që kjo parti, ashtu siç lindi, të mbetej avokate e pamposhtur e vlerave më të arrira konservatore.
Ne u rithemeluam sepse ne donim të vendosur të mbrojmë interesin kombëtar të shqiptarëve, të nëpërkambur nga një albanofob bastard i nomenklaturës së vjetër komuniste, që shqelmon mbi dinjitetin dhe interesat e shqiptarëve, Edi Rama.
Ne u rithemeluam sepse kulti ynë është vota e lirë. Ne u rithemeluam të vendosur se për demokratët shqiptarë do të vendosin vetëm ata me votën e tyre të lirë,” tha Berisha.
Berisha tha gjithashtu se “Foltorja” ishte një rrugë e imponuar.
“Rruga e Foltores na u imponua. Kjo rrugë u imponua se ne në 8 vite po kalonim nga disfata në disfatë. Nga dështimi në dështim. Të gjitha këto për shkak të një udhëheqësi të papërgjegjshëm, që e konsideroi këtë parti si një sipërmarrje private. Parimet e vlerat ai i zëvendësoi me pazaret me qeverinë…
Nuk e kishim të lehtë këtë rrugë. Ne u përballëm këto muaj me të gjithë egërsinë e narkoshtetit, miliardat e parave të drogës dhe krimit. U përballëm këto muaj me kurthet e neveritshme të ish-drejtuesit të saj, por e vërteta është se u përballëm me përpjekje të jashtëzakonshme të Soros dhe mafies së tij për të shkatërruar opozitën shqiptare, për ta shndërruar atë në një gjethe fike të të majtës shqiptare dhe Edi Ramës. Por këto përpjekje dështuan.
Me këtë rast dua t’u them atyre që mendojnë se mund të mbajnë një pseudo-opozitë në këmbë, se gabohem: opozita nuk emërohet, ajo nuk delegohet, ajo është moral. Ja ku jemi sot, opozitë e vërtetë, në këmbë e gatshme për çdo betejë.
Unë jam sanksionuar nga DASH me akuza për të cilat në mënyrë absolute nuk ekziston asnjë fakt apo provë. Jam sanksionuar nga lobimi korruptiv i George Soros dhe Edi Ramës. Cilido që paraqet një fakt, një dokument, një provë më të vogël kundër Sali Berishës, ai është i gatshëm që të marrë çdo masë ndaj vetes së tij.
Unë jam Sali Berisha, kurrë nuk e pranoj shpifjen dhe gënjeshtrën për të vërtetë,” tha Berisha.