Berisha ndalet në Lazarat: Jeni bastion i pamposhtur i atdhetarizmit, nuk ka forcë që t’ju shpërbëjë

schedule13:59 - 8 Tetor, 2022

schedule 13:59 - 8 Tetor, 2022

Kreu i partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar takimet në Lazarat, ku ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që PD ka marrë nga aty.

Berisha tha se nuk ka asnjë forcë që ta shpërbëjë Lazaratin dhe çdo ide e tillë do të marrë përgjigjen e merituar.

“Dua të përulem me nderimin më të madh, me mirënjohjen më të thellë, para jush, për mbështetjen e jashtëzakonshme që ju i keni dhënë PD-së që nga themelimi i saj.

Dua të shpreh krenarinë time të madhe me këtë mbështetje dhe t’ju garantoj se ndjehem krenar me mbështetjen e secilit prej jush, se ndjehem i detyruar pafundësisht ndaj jush, njerëz fisnikë, atdhetarë, punëtorë, për kontributin tuaj në demokraci, për kontributin tuaj si bastion i pamposhtur i atdhetarizmit.

Vij këtu nga Libohova dhe një mik i imi më tha se Edi Rama i paska thënë një socialisti të thekur, se Libohovën dua ta vëj në heshtje dhe Lazaratin ta shpërbëj fare.

I them Edi Ramës se nuk ka asnjë forcë ta shpërbëjë Lazaratin. Këtë u përpoq ta bëjë diktatura më e egër dhe ata përfunduan në koshat e historisë dhe Lazarati mbeti bastion i lirisë.

Prandaj ideja e vazhdimit të etërve të tu mizorë, të persekutimit të Lazaratit, do marrë përgjigjen e merituar në zgjedhjet e ardhshme, do marrë përgjigjen e merituar në mbarë Shqipërinë.

Rroftë Lazarati, rroftë Shqipëria!”, tha Berisha. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!