Sa herë Rama udhëton i ftuar në Bruksel, Berisha del kundër integrimit në BE.
“Shqipëria nuk plotëson në mënyrë absolute asnjë kusht të procesit të integrimit. Sukseset e Shqipërisë me Edi Ramën janë mashtrimi më i madh. Shqipëria plotëson kushtin gjeostrategjik, i cili është një kusht i rëndësishëm.”
Por Berisha paralajmëron se këtë herë Rama nuk po shkon për lajme të mira. Dhe kur është lajmi i keq për Ramën, është lajm i mirë për doktorin.
“Është thirrur sot për t’i komunikuar nga autoriteti më i lartë i Europës, verdiktin. Kjo është një ndihmë e jashtëzakonshme për qytetarët shqiptarë, është një apel, është një kushtrim. Atij i komunikohet se ky qëndrim është aq i rëndë dhe i papajtueshëm me shtetin ligjor, me Kushtetutën, me standardet evropiane, saqë do të provokojë zhbërjen e plotë të procesit të integrimit me Shqipërinë”, tha Berisha.
Pra doktori di diçka që nuk e di as Shider, as Krishbaum dhe as Marta Kos. Pretendon se vetëm ai e di rrugën për në Bruksel. Me një kusht, duhet të lutet i pari Brukseli, jo Tirana.
“Ne nuk i kërkonim lëmoshë askujt. Ne duhet të performojmë që të meritojmë atë që kërkojmë. Kjo rrugë ka funksionuar. Ndaj dhe unë i siguroj partnerët tanë që ne kemi qëllim më kryesor integrimin e bazuar në meritë dhe jo në suksese imagjinare. Këtë ne nuk e kërkojmë, nuk e bëjmë”, shtoi ai.
Për momentin, e vetmja rrugë që ofron doktori, është rruga. Ndaj kur Rama të jetë në Bruksel, ai do të protestojë poshtë zyrës së tij bosh në bulevard.
“Kryengritja paqësore që tund themelet e narkoparlamentit, narkoqeverisë dhe regjimit. Kjo është rruga”, tha Berisha/abcnews.al


