Berisha: Kriza energjitike nuk erdhi nga moti dhe lufta, por vjedhja dhe plaçkitja

schedule12:39 - 20 Prill, 2022

schedule 12:39 - 20 Prill, 2022

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se kriza energjetike në Shqipëri nuk lidhet me motin dhe luftën në Ukrainë. Në selinë e Partisë Demokratike në një tryezë me ekspertë, Berisha u shpreh se kriza vjen nga keqmenaxhimi, vjedhja dhe plaçkitja. Berishë bën përgjegjëse qeverinë për këtë situatë, ndërsa dënon rritjen e çmimit.

Sipas ish-kryeministrit nuk ka vend tjetër që zbraz digat në kundërshtim me ligjet dhe shet energjinë. Berisha kujton gjithashtu, se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që takson naftën mbi  1 euro, prodhon mbi 1 milion ton dhe ka çmimet më të larta.

“Tani nën hijen e luftës ka marrë përmasa dhe më të mëdha. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që ka katërfishuar çmimin e  energjisë për bizneset dhe premton të rrisë në mënyrë absurde çmimin edhe për konsumatorët. Është vendi i vetëm që takson naftën mbi 1 euro, që prodhon 1 milion ton dhe që ka çmimet më të larta në Evropë.

Por, sigurisht Shqipëria nuk është një ishull. Megjithëkëtë në rrafshin e energjisë dhe prodhimit të saj Shqipëria është vendi që duhet të ndjente më pak se çdo vend tjetër ndikimin mbi energjitikën e kontinentit të agresionit rus mbi Ukrainën. Energjia e saj në masën 98% është tërësisht ujore, por prodhohet me kosto më të ulët se në çdo vend tjetër.

Prodhimi i energjisë në Shqipëri gjatë vitit 2021 është më i larti në rekord historik, rreth 8.9 miliard kw. Duke pasur parasysh këto faktorë dhe nëse analizojmë qëndrimin në menaxhimin e rezervar ujore të kaskadës konstaton lehtësisht se shkaku themelor i krizës nuk është moti, lufta, por është plaçkitja, grabitja, vjedhja në këto sipërmarrje.

Shqipëria nuk besoj të ketë vend tjetër që zbraz digat në kundërshtim me ligjet e saj dhe shet energjinë në emër të liberalizimit të tregut me 42 euro, në të njëjtën ditë kur në bursë është 130 euro.

Në themel të kësaj krize është qëndrimi i papërgjegjshëm i kësaj qeverie”, deklaroi ish-kryeministri. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!