Berisha i bëri ftesë të rikthehej në PD, Patozi e refuzon: S’jam në kërkim të ndonjë partie

schedule09:38 - 28 Prill, 2022

schedule 09:38 - 28 Prill, 2022

Astrit Patozi i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha pas ftesës së këtij të fundit për t’u rikthyer në Partinë Demokratike. Patozi ka refuzuar këtë ftesë, duke sqaruar se nuk është në kërkim të ndonjë partie. “Aq më pak të atij lloji, që janë katandisur si mos më keq nga drejtimi i gabuar për një kohë të gjatë dhe të pandërprerë”, shprehet ai, ndërsa ka postuar edhe një foto nga 8 janari.

Më tej, ish-nënkryetari i PD thotë se ndihet mirë në jetën e tij të lirë dhe shton se “nuk ka menduar se politikë bëhet vetëm brenda një partie dhe vetëm rrotull një udhëheqësi legjendar dhe të pagabueshëm.” Ai thotë se ftesa “për dasmë” siç e quan ai është bërë pas mesnate, e njëjtë me atë siç e larguan.

Reagimi i plotë: FALEMINDERIT, POR NUK JAM NË KËRKIM…

Meqë më paska dalë emri mbrëmë dhe media është shprehur shumë e interesuar, e gjeta të udhës të jap një përgjigje të shkurtër.

Faleminderit që na kujtojnë ende, por unë nuk jam në kërkim të ndonjë partie. Aq më pak të atij lloji, që janë katandisur si mos më keq nga drejtimi i gabuar për një kohë të gjatë dhe të pandërprerë.

Ndihem shumë rehat sot me jetën dhe lirinë time, ndërkohë që për asnjë çast në këtë botë nuk kam menduar se politikë bëhet vetëm brenda një partie dhe vetëm rrotull një udhëheqësi legjendar dhe të pagabueshëm.

Por meqë ftesa verbale për “dasëm” qenka bërë pas mesit të natës, kujtoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe 5 vjet më parë, kur na larguan. Natyrisht, pa votë dhe pa mbledhje forumesh politike.

Të paktën, orën mund ta kishin ndërruar. Se në dorë vetë e kishin, si atëherë edhe tani.

Në një deklaratë për mediat mbrëmjen e së mërkurës pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit, Berisha tha se do t’u bëhen ftesa të gjitha figurave të larguara gjatë viteve që partia drejtohej nga Lulzim Basha, me qëllim hapjen e partisë. Ish-kryeministri përmendi Jozefina Topallin, Arben Imamin, Majlinda Bregun dhe Astrit Patozin.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!