Berisha fton deputetët e PD të bashkohen në protestë: Do jetë paqësore, s’kemi hatërmbetje me ju

schedule13:33 - 7 Janar, 2022

schedule 13:33 - 7 Janar, 2022

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se protesta e nesërme para Partisë Demokratike do të jetë paqësore. Ai garantoi punonjësit e godinës se protestuesit nuk kanë asnjë hatërmbejtje me ta, por problemi i vetëm që kanë është lirimi i godinës dhe hapja e dyerve.

“Shumica vendos, pakica respektohet. Në qëndrimin e deputetit Basha, del e qartë si drita e diellit se ai si pakicë kërkon të dhunojë shumicë. Kërkon t’i konfiskojë shumicës ndërtesën e saj. Shtëpinë e demokratëve duke e trajtuar atë njëlloj si ta ketë pronë personale. Pra kemi të bëjmë me një parim themelor të demokracisë dhe një përpjekje të jashtëzakonshme dhe tejet kriminale për asgjësimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Ftoj të gjithë anëtarët dhe anëtaret e PD të bashkohen për të marrë në dorëzim shtëpinë e tyre për ta shndërruar atë në shtëpi lirie në një protestë paqësore. Në ngjarje madhore të revolucionit tonë paqësor. Garantoj punonjësit e kësaj ndërtese se protestuesit nuk kanë as hatër mbetjen më të vogël ndaj tyre. Problemi i vetëm që kanë është hapja e dyerve dhe çlirimi i saj nga pengu i Edi Ramës, peng Basha.

Nesër ftoj deputetët e PD të jenë këtu me anëtarët e tyre, të bashkohen këtu dhe të mos qëndrojnë më asnjë minutë me një njeri që ata i besuan dhe partinë në të cilën investuan kapitalin e tyre. Partinë që i bëri deputetë dhe i lartësoi në nivelin më të lartë politikë, në parti blindesh dhe bravash. Nuk mundet që ju të pranoni më tutje këtë tragjedi që luhet në kurrizin tuaj për interesa të Edi Ramës. Nesër jeni të ftuar të bashkoheni me anëtarët dhe simpatizantët tuaj. Ftoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e partisë. Në rast se i kanë apo nuk i kanë dokumentet e PD, t’i marrin me vete dhe t’i tregojnë pengut të Edi Ramës. Protesta jonë është paqësore. Arma jonë është vendosmëria”, tha Berisha. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!