Bëri thirrje për sanksione ndaj Rusisë, Vulin kërkon shkarkimin e ministrit të Vuçiçit

schedule10:04 - 14 Mars, 2023

schedule 10:04 - 14 Mars, 2023

Lëvizja Socialiste (PS) e Serbisë, e udhëhequr nga Aleksandar Vulin, drejtor i Agjencisë së Sigurisë së Inteligjencës, kërkoi shkarkimin e ministrit të Ekonomisë Rade Basta, i cili i bëri thirrje Serbisë që t’i vendosë sanksione Rusisë.

Sipas kësaj force politike, ministri Basta kërkon të përçajë qeverinë e Serbisë duke vendosur sanksione të paligjshme, shkruan Tass.

“Tani, kur kemi nevojë për unitet, Basta kërkon të përçajë qeverinë e Serbisë për çështjen e bashkimit me sanksionet e paligjshme kundër Federatës Ruse. Është veçanërisht e turpshme që Basta fshihet pas shpinës së Presidentit të Serbisë, me qëllim që të cenohet pavarësia dhe neutraliteti që Aleksandër Vuçiç e mbron si nga të huajt, ashtu edhe nga frikacakët e tillë vendas.

Ne presim që Basta me dorëheqjen e tij nga qeveria të tregojë se sa shumë kujdeset për atë që kërkon, nëse nuk arrin të fitojë mbështetje nga ministrat e tjerë në luftën e tij kundër një politike të pavarur, neutrale dhe liridashëse të Serbisë sonë. Lëvizja Socialiste, e themeluar nga Aleksandar Vulin, kundërshton vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse”, thuhet në njoftimin e partisë.

Më herët, minsitri Basta pretendoi se Serbia “po paguan tashmë një çmim të lartë për mosvendosjen e sanksioneve kundër Rusisë” dhe i bëri thirrje shtetit që t’i bashkohet politikës së sanksioneve. Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjithë ministrave që të flasin për këtë çështje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!