Aktorja Rina Krasniqi ka bërë histori në festivalin e filmit “PriFest”. Aktorja interpretoi dy role në filmin “Virgjëresha Shqiptare”, si Luana dhe si një burrneshë me emrin Jack. Kjo është hera e parë në historinë e “PriFest” që një aktore arrin të fitojë të dy çmimet, për aktoren dhe aktorin më të mirë.
Në një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Rina rrëfeu për moderatorin Alban Musa emocionet e këtij triumfi.
“Ishte hera e parë dhe është një moment historik që ka thyer shumë klishe. Është revolucionare dhe për kinematografinë dhe sferat e kulturës. Jam e nderuar për këtë vlerësim nga juria dhe e bekuar dhe më shtyn përpara të bëj punë të mirëfilltë dhe që ka një nivel të lartë profesional.”, tha ajo.
“Jam gëzuar me të gjitha çmimet. I dyti ka qenë i papritur. Nuk dija se si të reagoja sepse ishte diçka që nuk ka ndodhur më herët. Dhe një javë më pas kam qenë nën “mjegull” se çfarë ka ndodhur, se si ta ndjej. Është një nder shumë i madh. Jam e lumtur që jam ajo që kam thyer barrierën.”, shtoi Rina.
Ajo u pyet gjithashtu për një deklaratë të bërë disa ditë më parë, ku thuhej se është “paragjykuar për rolin e burrit dhe të gruas në film”. Megjithatë, ajo tha se fjalia e saj është nxjerrë nga konteksti por përkundrazi, ndihet vlerësuar dhe kjo reflektohet nga çmimet që ka fituar.
“Nuk jam e paragjykuar aspak, jam shumë e lumtur dhe shumë e bekuar, ndihem e nderuar. Është bukur që të gjithë ta kuptojnë rëndësinë e asaj që ka ndodhur në PriFest sepse kudo që të kishte ndodhur, kjo do të kishte qenë diçka historike.”, u shpreh aktorja e njohur. /abcnews.al