Një çift të moshuarish i dha fund jetës tragjikisht mëngjesin e sotëm duke u hedhur nga kati i 8 i një pallati në qytetin e Beratit. Çifti kishte 5 fëmijë, të cilët ishin në emigrim.
Burrë e grua, prindër të 4 fëmijëve vdiqën tragjikisht. Të dy ranë nga kati i tetë i pallatit ku jetonin në vendin e quajtur Pjeshkorja në lagjen 30 vjetori në Berat. Fillimisht ka rënë gruaja, Këze Agalliu 70 vjeçe. Dyshohet se atë e shtyu bashkëshorti Kujtimi, i cili më pas u hodh edhe vetë. Për të thuhet se ishte i sëmurë dhe një banor ka parë skenën. Por kjo mbetet për tu saktësuar nga hetueset që po merren me çështjen.
Ajo që është më dhimbshme është fakti që çifti ishte kapur për dore para se të binin nga lartësia. Fqinjët nuk i njihnin mirë të moshuarit. Ata kishin ardhur të banonin në shtëpinë e re në fillim të qershorit. Fëmijët e tyre në emigracion, tre djem dhe një vajzë, u kishin blerë shtëpinë për ti larguar nga fshati Qerreshnik. Madje u kishin vënë në dispozicion dhe një grua që herë pas here kujdesej për ta. Por si duket të moshuarit ishin lodhur nga sëmundjet.
Nje burim i policisë i tha ABC News se burri vuante nga probleme mendore prej dy vitesh. Kurse Këzja kohët e fundit po ekzaminohej me dyshimin se kishte tumor. Të afërmit e tyre i thanë policisë se kohët e fundit bisedat e tyre lidheshin vetëm me fshatin nga ku kishin ardhur. Dukej sikur ata akoma nuk e kuptonin që po jetonin në një pallat në qytet. Trupat e tyre të pajetë u gjetën nga një patrullë policie që kaloi pranë vendit të ngjarjes. Për këtë tragjedi, policia ka nisur hetimet nëse ishte një akt vetëvrasjeje, apo burri që dyshohet i sëmurë vrau gruan dhe veten. /abcnews.al