Në seancën gjyqësore të kësaj të marte në ngarkim të ish ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj, pritej që prokuroria e posaçme të kundërshtonte kërkesat e bëra një seancë më parë nga ish zyrtari i lartë, por dy prokurorët e çështjes ishin të papërgatirur.
Ened Nakuçi dhe Edvin Kodili i thanë trupës gjykuese se materiali me 93 faqe me kërkesat specifike të të pandehurit, i është vënë një ditë më parë në dispozicion nga avokati mbrojtës i Beqajt dhe se koha ishte e pamjaftueshme për të përgatitur kundërshtimet e tyre dhe për të mbajtur një qëndrim përfundimtar.
Ata i kërkuan togave të zeza shtyrjen e seancës gjyqësore, kërkesë e cila u miratua nga GJKKO. Në seancën e kaluar, ish ministri i shëndetësisë paraqiti 9 kërkesa, njëra prej të cilave ishte pushimi i çështjes penale.
Sipas Ilir Beqajt, provat digjitale të përftuara nga pajisje elektronike dhe në postë elektronike janë administruar në mënyrë të paligjshme, akuza për vjedhje nuk plotëson parimet e ligjshmërisë sepse nuk përkufizon sjelljen e ndaluar, shumica dërrmuese e memorieve kanë marrë përgjigje pas afatit 15 ditor që përcakton Kpp etj.
Në seancën e radhës që do të zhvillohet në GJKKO, SPAK do të bëjë kundërshtimet mbi këto kërkesa. Ilir Beqaj po gjykohet për kryerjen e veprës penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, lidhur me sterizilimin e pajisjeve kirurgjikale.
Ai po gjykohet edhe në një tjetër proces parallel, për dosjen SASAPC, ku dyshohet se ka abuzuar me fondet e BE në kohën kur drejtonte këtë agjenci.



