Deputeti i PD Belind Kelliçi ka paditur aktivisten Evi Kokalari. Lajmin e ka bërë me dije vetë Këlliçi me anë të një postimi në rrjete sociale ku thekson se në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, padinë kundër Kokalarit e ka depozituar për shpifjet, fyerjet dhe mesazhet telefonike të shpërndara prej saj.
Postimi i Belind Këlliçit
Prej shumë ditësh, publikisht, jam sulmuar nga Zj. Evis Kokalari, me gjuhë më linçuese se ajo e kundërshtarëve tanë politikë. Janë hedhur drejt meje akuza të shumta nga më absurdet, të cilat qëndrojnë në gojën e Zj. Kokalari dhe në faqen e saj në rrjetin social Facebook. Duke njohur së brendshmi situatën politike në Partinë Demokratike dhe rrugëtimin tonë të vështirë për të dalë nga përplasjet e muajve të fundit, kam qëndruar i heshtur për t’i dhënë hapësirën Zj. Kokalari t’i japë zë të gjithë mllefit, xhelozisë dhe urrejtjes për të rinjtë në Partinë Demokratike.
Ky sulm nuk është i beftë. Gatitej që nga koha kur në Foltoret e nismuara nga Doktor Berisha, përpos Zj. Kokalari, u pozicionuan të rinjtë e FRPD; mes tyre edhe unë. Kam zgjedhur të mos i përgjigjem me “dazibao” akuzave dhe me komente Facebooku, prandaj sot, në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kam depozituar një padi kundër personit në fjalë, për shpifjet, fyerjet dhe mesazhet telefonike të shpëndara prej saj.
Shi me baltë nuk ka! Ka shi që dheun e bën baltë, dhe Zj. Kokalari e ka bërë baltë ndaj personit tim dhe FRPD që unë drejtoj, duke e cilësuar “klan” brenda PD. Maloren e politikës, unë Belind Këlliçi, e kam ngjitur sëbashku me të rinjtë e FRPD, në shumë fushata derë më derë, qindra e qindra protesta kundër qeverisë, dhe do të vazhdoj me ta krah për krahu si ditën e parë. Këto akuza nuk më japin aspak dhimbjen e dhunës së ushtruar ndaj nesh komisariateve të policisë e nuk janë gas lotsjellës që të lotoj prej tyre, mirëpo i kam përjetuar të gjitha me jo pak mërzi, por gjithnjë brenda pritshmërive politike.
Zj. Kokalari iu desh kohë për të më goditur me disa prej akuzave dhe shpifjeve të përdorura nga socialistët kundrejt meje. Nuk është rastësi që këto etiketime janë hedhur në qarkullim fillimisht nga Erion Veliaj përpara dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Kryebashkiakun unë e luftoj politikisht para dhe pas Foltores, ndërkohë që akuzuesja ime i është publikisht mirënjohëse për gadishmërinë ndaj fondacionit të saj! Zj.Kokalari kërkon të jetë etaloni i konservatorizmit në Partinë Demokratike. Kjo është e drejta e saj.
Unë kërkoj një Parti Demokratike për të gjithë, ku anëtarët të shprehen lirshëm, pa u druajtur se do të kalojnë në sitën e zonjës. Po këto janë opinione politike, të cilat ne mund t’i zgjidhim pa përdorur gjuhën e urrejtjes ndaj mendimit ndryshe dhe pa ndërmarrë fushata linçuese ndaj njëri-tjetrit, sepse demokratët janë lodhur nga sherrnaja. Tashmë Zj. Kokalari ka barrën të faktojë në gjykatë çdo të thënë të saj kundrejt Belind Këlliçit dhe FRPD. Bujrum të vijë dhe të faktojë qoftë dhe një akuzë të vetme! Për të gjitha akuzat, fyerjet, mesazhet telefonike dhe nxitjen për fyerje dhe linçim ndaj meje dhe FRPD, në vigjilje të Ditës Botërore Kundër Gjuhës së Urrejtjes, sot e padita Zj. Kokalari dhe i kërkova gjykatës dëmshpërblim.
Paratë e dëmshpërblimit do t’i shpenzoj kokërr më kokërr si donacion për të rinjtë e FRPD, nëpërmjet një moduli trajnues dhe edukues për gjuhën e urrejtjes, fake news dhe linçimin publik. Rrjetet e mia sociale janë të hapura për komunikim me cilindo prej jush. Unë nuk i limitoj komentet në faqen time në Facebook. Uroj që kjo të mos shihet si shumë liberale! Unë do t’i përmbahem gjithnjë etikës së komunikimit dhe nuk do të diskutoj për mungesën e koherencës së askujt, pavarësisht se Zj. Kokalari mund të tentojë të përdorë në gjykatë luhatjet e saj të shpeshta publike për të mohuar të pamohueshmen e shkruar. Faleminderit të gjithëve për durimin dhe mbështetjen e pakursyer tashmë prej vitesh ndaj meje! Gjithmonë mirënjohës ndaj të rinjve të FRPD dhe Partisë Demokratike
Një përgjigje për padinë e Këlliçit, Kokalari e ka bërë në rrjete sociale duke thënë se provokimet e saj kanë qenë të qëllimshme. Kokalari thotë se rrjetet sociale ishin e vetmja mënyrë që të paraqiste sipas saj faktet e manipulimeve në Këshillin Kombëtar.
Reagimi i Kokalarit:
Belind Kellici me doli ne shteg. !! E falenderoj Belind Kellicin për padinë ndaj meje. Në fakt, provokimet e mia në median sociale kanë qenë pikërisht që ai të bënte padi, sepse ishte e vetmja mënyrë që unë mund të paraqis faktet e manipulimeve që ai ka bërë në Këshillin Kombëtar. Une votat i disponoj dhe Belindi këtë e di si anëtar i Komisionit Zgjedhor. Dhe luftën që kam bërë për ti parë rezultatet, ai e di shumë mirë.
Tashti, personalisht kam firmosur një dokument që këto informacione që kam parë dhe analizuara, të marra nga Komisioni Zgjedhor, nuk mund ti bëja publike, ndryshe Komisioni apo PD kishte të drejtë të më hidhte në gjyq dhe me të drejtë do fitonin. Ama, kur gjykatësi i çështjen se Belindit kundër meje do të më kërkoj faktet, nuk do të kem zgjidhje por t’ia jap gjykatës për shqyrtim, pra si e tillë, PD apo Komisioni nuk mund të më hedh në gjyq sepse është gjykata ajo që po më detyron ti bëj disi faktet publike.
Gjithashtu, Belindi ka dërguar një turmë njerëzish ndaj meje me sulme nga më absurdet, me shpifje dhe akuza deri tek ‘ngacmimet seksuale’, dhe ndryshe nga une që i kam sulmet të drejtpërdrejta, ai fshihet mbas dorës së njerëzve që i përkasin të të njëjtit llum. Nejse, më vjen mirë që më dole në shteg!!
/abcnews.al