Belgjika përmbys Japoninë

schedule21:58 - 2 Korrik, 2018

schedule 21:58 - 2 Korrik, 2018

Belgjika është çerekfinalistja më spektakolare e Kupës së Botës. Suksesi i saj ishte me përmbysje ndaj Japonisë, në ndeshjen më të bukur të turneut.

Kur Inui shënoi të dytin, një tjetër tronditje e madhe ishte afër.

Belgjika stërfavorite dhe e stërvlerësuar, Belgjika e talenteve që ia ka zili gjithë bota, e shihte veten të eleminuar nën dizavantazhin 0-2, ndërsa luhej pjesa e dytë e ndeshjes ndaj Japonisë në Rostov.

Pasi dominuan siç duhet pjesën e parë, por pa arritur të shënonin, europianët e gjetën veten papritur në një situatë që u duk pa kthim.

Fillimisht, Haraguchi e pastaj Inui ishin autorët e golave për skuadrën e çuditshme nga Lindja e Largme.

Pas rënies së Gjermanisë e Spanjës, Botërori po tregonte se qendra e rëndesës së futbollit kishte ndryshuar dramatikisht.

Gjithsesi, parimi ishte, është dhe mbetet se një ndeshje luhet derisa vërshëllen gjyqtari dhe Belgjika, e pati parasysh këtë.

Superlojtarët e saj, Hazard, De Bruyne, Mertens, Lukaku, por edhe Vertonghen, Company e Fellaini, mblodhën veten në momentin më të vështirë, shenjë e qartë e një karakteri prej kampionësh.

Përmbysja erdhi logjike dhe bindëse.

Vertonghen ktheu shpresën në minutën e 69-të, dhe pa kaluar pesë minuta, Fellaini konkretizoi ndryshimin e taktikës belge.

Trajneri Martinez, me shumë zgjuarsi, hoqi nga loja futbollistë të shkurtër si Mertens, dhe futi shtatlartë si Fellaini, në një ndeshje pa hapësira.

Fundi ishte madhështor dhe kualifikimi i Belgjikës ishte i merituar. Keqardhje për Japoninë tepër serioze, dhe paralajmërim për Brazilin./abcnews.al