Beleri, nga qelia në Athinë, pritet nga Mitsotakis: Fundi i aventurës, afër

schedule17:23 - 15 Korrik, 2024

schedule 17:23 - 15 Korrik, 2024

Fredi Beleri la mëngjesin e së hënës burgun e Fierit, pasi mori leje për t’u betuar si eurodeputet. Ai u prit jashtë ambienteve të burgut nga bashkëshortja dhe makina e ambasadës greke.

Beleri udhëtoi i vetëm në Athinë, i pashoqëruar nga efektivë të burgjeve. Ai u takua me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Në takimin që u zhvillua në kryeqytetin grek, Mitsotakis dhe Beleri shprehën mirënjohjen për mbështetjen e ndërsjellë.

Sipas kreut të qeverisë greke fundi i aventurës është shumë e afërt.

“Më lejoni t’ju them se sa i lumtur jam që kjo aventurë e madhe duket se po i vjen fundi. Është e kuptueshme, ju keni marrë lejen që të mund të ushtronit detyrat tuaja dhe të bënit betimin. Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të vazhdojmë përpara, të shohim përpara”, është shprehur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Mitsotakis theksoi se Shqipëria po afrohet më shumë me Europën, për sa kohë që i përmbahet me përpikëri angazhimeve të saj.

“Ne kemi të gjitha arsyet për të kërkuar një Shqipëri që bën progres në këto çështje, që i afrohet Evropës, por që i përmbahet rreptësisht angazhimeve të saj evropiane. Mendoj se ky është një qëllim i përbashkët për të cilin ne të gjithë duam të punojmë”, ka thënë Mitsotakis.

‘Liria’ e Belerit do të zgjasë vetëm 5 ditë dhe sipas lejes së miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, më 20 korrik Beleri duhet të kthehet në burg për të shlyer dënimin e mbetur për korrupsion zgjedhor.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!