Beleri kundër zgjedhjeve në Himarë/ Padi në Gjykatën Administrative: Të pezullohet dekreti i presidentit

schedule15:46 - 8 Korrik, 2024

schedule 15:46 - 8 Korrik, 2024

Alfred Beleri kërkon nga Gjykata Administrative e Tiranës të pezullojë dekretin e presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve për bashkinë e Himarës.

Beleri, që fitoi zgjedhjet lokale për të drejtuar bashkinë e Himarës, ka kundërshtuar këtë vendim dhe ka kërkuar nga Gjykata Administrative pezullimin e zbatimit të dekretit presidencial deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Sipas Belerit, dekreti i kreut të shtetit është në kundërshti me Kushtetutën, kodin zgjedhor, si dhe kodin e procedurave administrative.

Më 5 korrik, Presidenti Bajram Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet e reja në Himarë. Vendimi i presidentit erdhi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi heqjen e mandatit të Belerit si kryebashkiak i Himarës, pas dënimit të tij me formë të prerë me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje.

Bashkia drejtohet nga kryetari i Komanduar Arqile Bollano ndërsa më herët këtë detyrë e ka mbajtur Jorgo Goro, edhe ai i arrestuar me urdhër të SPAK por për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Po kështu përmes avokatëve mbrojtës, Beleri i kërkon leje drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve që të marrë pjesë fizikisht në datat 15 deri në 20 korrik në mbledhjen e Parlamentit europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!