Analisti politik Roland Bejko, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News analizoi zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, duke i cilësuar të qarta dhe të kundërta qëndrimet e Sali Berishës dhe Ervin Salianjit.
Sipas Bejkos, Salianji përfaqëson një vizion për një PD të hapur, të bashkuar dhe moderne, të ndërtuar mbi meritokracinë dhe me një agjendë të qartë drejt pushtetit, ndërsa Berisha synon mbajtjen e kontrollit personal mbi partinë, përmes mekanizmave të dominimit dhe përjashtimit të rivalëve.
Bejko theksoi se reagimet dhe sulmet e Berishës ndaj lëvizjeve të Salianjit kanë prodhuar këtë herë efekt të kundërt, duke rritur mbështetjen për këtë të fundit, ndërsa paralajmëroi se përpjekjet për ta penguar Salianjin të kandidojë pritet të vazhdojnë.
“Unë them që të dy janë të qartë, si Saliu ashtu edhe Salianji. Janë të qartë sepse Salianji është i qartë sepse kërkon një PD të hapur, të bashkuar, moderne, të mbështetur te meritokracia dhe të ketë një agjendë të qartë politike drejt pushtetit. Kurse Sali Berisha, kërkon të kundërtën e kësaj, kërkon një parti personale dhe e ka bërë, kërkon një parti që ta kontrollojë dhe ta dominojë, edhe këtë e ka arritur, sepse me vendosjen e deputetëve në listën e mbyllur të atyre që ka më besnikë dhe më protagonistë sot në aktivitetin publik dhe politik, janë pikërisht njerëzit e tij.
Me daljen e Salianjit nëpër takime ne e shikojmë Sali Berishën vërtet në pasqyrë, doli Berisha që njerëzit mendonin se e kishte kapërcyer dhe nuk ekzistonte më si i tillë, si një pulist i vjetër, që nuk heq dorë nga kurthet, planet dhe shpallja e armiqve të brendshëm. Për këtë arsye, sapo u pi kafja, ai hodhi menjëherë në lojë taktikat e tij, të rekrutimit. Rekrutoi ata të cilët mund të largonte nga linja e Salianjit, nëpërmjet joshjes. Në taktikën e dytë, kur nuk ecën joshja, nëpërmjet mesazherëve, që jam i bindur që edhe Salianji duhen të kenë shkuar. Dhe kur nuk i funksionojnë mesazherët, hedh furtuna me shpifje, gjë që e pamë. Dhe kur pa që hasi rezistencë dhe që ky e kishte seriozisht këtë punë, atëherë lëshoi sulmet, duke i quajtur si aktivitete që organizohen në mbështetje të grupeve kriminale. Demokratët që ishin në sallë, nuk i quajti demokratë dhe Saliu menjëherë kërkoi që ta mbyllte këtë derë, ta mbyllte diskutimin dhe kjo histori të mbyllej këtu.
Mirëpo kjo krijoi efekt të kundërt, ndryshe nga herët e tjera, ku shantazhi, sulmet dhe denigrimet Saliut i kanë shkuar, kanë bërë efekt dhe kanë krijuar atë braktisjen e atij që ka marrë iniciativa politike, kësaj here nuk i eci dhe pamë që të gjitha këto sulme që ka lëshuar Saliu, kanë mbushur sallat gjithnjë dhe më shumë. Për mendimin tim të dy janë të qartë, Salianji në objektivat e tij dhe Saliu në objektivat e tij, që ta mbajë partinë pa rival. Jam i bindur që nuk do e mbyllë lojën me kaq, por do të bëjë të pamundurën që Salianji të mos kandidojë”, tha Bejko.


