Marc-Andre Ter Stegen është një portier i veçantë. Gjermani është përmirësuar shumë që prej mbërritjes te Barcelona në vitin 2014 dhe është ndër më të mirët në botë në rolin e tij. 27-vjeçari futet te personat e rrallë që nuk preferon të shohë ndeshje.
90 minutat e tij në javë i dalin dhe i mjaftojnë. Në një deklaratë për El Pais, Ter Stegen nis e tregon se si nuk i plas fare për emrat e kundërshtarëve. Ai nuk i mban mend fare, madje as pasi i studion në video përpara ndeshjeve. “Zakonisht nuk shikoj ndeshje futbolli. E bëj vetëm kur luhet ndonjë përballje e madhe ose kur zbret në fushë ndonjë mik i imi. Kur më pyesin për emrat e kundërshtarëve mbes pa përgjigje, nuk i njoh.
Rrallë ndodh që të shoh ndonjë video të rivalëve dhe të më kujtohet më pas në ndeshje. Koronavirusi? Po e përjetoj me qetësi karantinën time. Futbolli nuk është aspak përparësi në këto momente, kështu që qëndroni të gjithë në shtëpi”, deklaron portieri gjerman i Barcelonës. /abcnews.al