Bashkimi Evropian po përgatitet të zgjerojë regjimin e sanksioneve ndaj Iranit, duke përfshirë në listë edhe individë dhe entitete që konsiderohen përgjegjës për bllokimin e ngushticës strategjike të Hormuzit.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Reuters, ambasadorët e vendeve anëtare kanë arritur një marrëveshje politike për të ndryshuar kriteret ekzistuese, në mënyrë që të synohen drejtpërdrejt aktorët që pengojnë lirinë e lundrimit në këtë korridor kyç energjetik.
Vendimi vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, pasi Teherani mbylli ngushticën pas shpërthimit të konfliktit me SHBA-të dhe Izraelin më 28 shkurt, duke ndërprerë rreth një të pestën e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Një burim i dytë diplomatik bëri të ditur se Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm do t’i duhen disa javë për të përgatitur listimet e reja, ndërsa Komisioni Evropian do të merret me masat sektoriale.
Ky hap shihet si pjesë e një qasjeje më të ashpër të BE-së ndaj Iranit, pas vendimeve të mëparshme për të shpallur Gardën Revolucionare Islamike si organizatë terroriste dhe për të vendosur sanksione ndaj zyrtarëve iranianë për shkelje të të drejtave të njeriut.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e paqëndrueshme: megjithëse disa cisterna kaluan përkohësisht nëpër Hormuz pas rihapjes së pjesshme, armëpushimi u vu në pikëpyetje pas sekuestrimit të një anijeje iraniane nga SHBA, duke rritur rrezikun për përshkallëzim të mëtejshëm.


