BE: Themelohet Komiteti Monitorues për zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi

schedule07:09 - 19 Prill, 2023

schedule 07:09 - 19 Prill, 2023

Bashkimi Evropian tha se së bashku me Kosovën dhe Serbinë, ka krijuar sot një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, një muaj pas pajtimit të palëve në Ohër për zbatimin e një plani evropian për këtë çështje.

Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga i dërguari i posaçëm i BE-së për bisedimet Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori i saj Petar Petkoviç.

Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel, thuhet në një njoftim të BE-së në të cilin theksohet se hollësitë do të përmbyllen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të mbahet pas takimit të radhës të të nivelit të lartë që pritet të mbahet në Bruksel më 2 maj.

Me 18 mars në Ohër, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative.

Në fillim të këtij muaji kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, u pajtuan për tekstin e një deklarate mbi personat e zhdukur gjatë luftës, që pritet të miratohet në takimin e 2 majit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!