BE: Shtensionimi në veri të Kosovës është më se i nevojshëm

schedule15:54 - 25 Shtator, 2023

schedule 15:54 - 25 Shtator, 2023

Në Bruksel edhe të hënën kanë përsëritur dënimin e ashpër të sulmeve të së dielës ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i saj.

Por, në pyetjen se a e mban ende qëndrimin se Serbia i ka bërë të gjithë hapat e nevojshëm për uljen e tensioneve, ndërsa Kosova nuk i ka bërë, për çfarë edhe janë në fuqi masat ndaj Kosovës e jo ndaj Serbisë, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë se “për masa vendosin vendet anëtare”, shkruan REL.

Ai ka thënë se sa i përket zhvillimeve të së dielës, BE-ja i ka dënuar këto akte, por hetimet po vazhdojnë dhe përmes këtyre hetimeve do të vërtetohet se çfarë saktësisht ka ndodhur.

“Hetimet janë ende në vazhdim e sipër dhe duhet të qartësohen të gjitha faktet lidhur me sulmet. Përderisa të mos saktësohen të gjitha faktet, ne do të përmbahemi nga komentet për zhvillimet e djeshme”, ka thënë Stano.

Sa i përket masave ndaj Kosovës, ai ka përsëritur se “ato janë masa e jo sanksione” dhe se ato ishin vendosur pasi vendet anëtare kishin konstatuar se cilët hapa kanë munguar nga ana e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.