Bashkimi Evropian ka dalë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shkarkimin nga detyra të anëtarëve të Ekipit Menaxhues për draftstatutin e Asociacionit të komunave serbe. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se marrëveshjet e dialogut thonë qartë se Ekipi Menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit.
Stano u shpreh se vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel frymën e marrëveshjeve të dialogut.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar të mërkurën se i ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit menaxhues pas prezantimit të draftitstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të martën në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Kurti e ka cilësuar draftstatutin e prezantuar nga Ekipi menaxhues si një dëshirë për një “Republika Sërpska të re”.
Stano më tej ka thënë se presin nga të dyja palët angazhim që të përfundojnë sa më shpejt negociatat për Asociacionin. Pritet të ftohen kryenegociatorët për takimin e radhës.
Stano ka thënë se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, u ka bërë të ditur palëve më 2 maj se nëse do të jetë e nevojshme, edhe Ekipi menaxhues do të ftohet të merr pjesë në këtë proces.