BE-SHBA, plan të ri për bisedimet tregtare

schedule00:15 - 16 Prill, 2019

schedule 00:15 - 16 Prill, 2019

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë gati një plan të ri për rifillimin e bisedimeve tregtare. Këtë herë propozimet kryesore vijnë nga Brukseli që ka autorizuar Komisionin të menaxhojë procesin për llogari të vendeve anëtare.

Vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar planin e ri të bisedimeve tregtare me Shtetet e Bashkuara, rreth një vit pasi presidentët Donald Trump dhe Zhan Klod Junker ranë dakord për të reduktuar barrierat. Vendimi i ministrave të BE-së i jep Komisionit Evropian autorizimin për të kryer bisedime formale. Por mes palëve ka mosmarrëveshje sa i takon përfshirjes së produkteve të fermerëve në dialog. Nëse bisedimet nisin, ato nuk do të jenë përpjekja e parë nga dy palët për të arritur një marrëveshje tregtare.

Gjatë presidencës së Barak Obama, Shtetet e Bashkuara dhe Unioni kishin një program negociatash të njohur si Partneriteti Ndër-atlantik i Tregtisë dhe Investimeve. Por programi ishte shumë kontradiktor për faktin se propozimet e palës amerikane u jepnin pushtet bizneseve që të sfidonin vendimet e qeverive. Për rrjedhojë, plani u anulua. Tani propozimet vijnë nga Brukseli dhe janë më pak gjithëpërfshirëse se programi paraardhës. Ministrat e vendeve anëtare i kanë dhënë Komisionit një mandat për të negociuar në dy drejtime.

Njëri është eliminimi i tarifave të importit për produktet industriale me bazë reciproke. I dyti synon të reduktojë barrierat rregullatore sidomos në aspektin e njohur si vlerësimet standarde, që është procedura sipas të cilës entet rregullatore sigurohen që mallrat të jenë në përputhje me rregullat e sigurisë para se të dalin në shitje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!