Bashkimi Evropian tenton të shuajë mosmarrëveshjet tregtare me Shtetet e Bashkuara. Brukseli ka propozuar për Uashingtonin një marrëveshje tregtare me zero tarifa për mallrat industrialë, përfshirë dhe automjetet.
Bashkimi Evropian bëri të ditur se në bisedimet tregtare me SHBA-të ka shprehur gatishmëri për të hequr tarifat ndaj të gjitha produkteve industriale, përfshirë edhe automjetet.
“Thamë se BE-ja është e gatshme për të zbatuar zero tarifa ndaj të gjitha mallrave industriale, natyrisht, nëse edhe SHBA zbaton një gjë të tillë. Prandaj, kjo do të jetë në baza reciproke”, tha Cecilia Malmström, Komisionerja Evropiane Përgjegjëse për Tregti, në një mbledhje të komitetit tregtar të Parlamentit Evropian.
Malmström shtoi më tej se bisedimet me SHBA-në nuk janë zhvilluar për të rifilluar Marrëveshjen e Partneritetit Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve, por ajo që është synuar ka qenë një “marrëveshje tregtare më e kufizuar”.
“Nëse edhe SHBA bën të njëjtën gjë, ne jemi të gatshëm të ulim në zero madje edhe tarifat ndaj automjeteve”, theksoi më tej Malmström, duke shprehur bindje se marrëveshja e mundshme do të ishte e dobishme për të dyja palët.
Ndërkohë, Brukseli dhe Washingtoni aktualisht janë duke zhvilluar bisedime të natyrës përgatitore për të përcaktuar kornizat e një marrëveshjeje të mundshme në të ardhmen. Edhe pse në mbledhjen e javës së kaluar në Washington u diskutua edhe për zbatimin e zero tarifave ndaj automjeteve, SHBA refuzoi propozimin e BE-së./abcnews.al