Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

BE: Politika të mos sulmojë drejtësinë! Ambasadori Gonzato, shqetësim për deklaratat e Berishës

schedule15:14 - 20 Shkurt, 2026

schedule 15:14 - 20 Shkurt, 2026

Politika duhet t’i ndalë sulmet ndaj drejtësisë. Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato shprehu shqetësimin për deklaratat e vazhdueshme të Sali Berishës, i cili jo në pak raste ka akuzuar gjyqtarë e prokurorë jo vetëm në dyert e SPAK por dhe në selinë blu. I pyetur për të por dhe nismën e fundit të qeverisë, Gonzato dha këtë përgjigje.

“Nuk do të spekuloj për këtë. Ajo që është e sigurt është se ne kemi shprehur vazhdimisht në raportet tona vjetore shqetësimin tonë në lidhje me sulmet kundër gjyqësorit. Mendojmë se këto sulme nga politikanët dhe ndërhyrja politike janë diçka që e shohim me shqetësim. Është diçka që nuk duhet të vazhdojë”, u shpreh Gonzato.

Në një intervistë për Deuche Welle, Gonzato tha se Brukseli po monitoron ndërhyrjen e qeverisë në nenin 242 të kodit të procedurës penale, ku përveç të zgjedhurve, masa e pezullimit nga SPAK nuk do mund të përdoret as për presidentin, kryeministrin, anëtarët e qeverisë apo institucione të tjera kushtetuese monokratike, si KLSH apo Avokati i Popullit.



“Sistemi i drejtësisë është në zemër të punës dhe kërkesave të një vendi në kontekstin e negociatave të anëtarësimit. Pra, ne presim që çdo nismë legjislative të jetë në përputhje me angazhimet e përgjithshme të qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Dhe ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër se si ndikon kjo në këta elementë”, theksoi diplomati.

Gonzato vlerësoi punën e SPAK, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar.

“Nëse flisni me shtetet anëtare, do të shihni se ato e vlerësojnë jashtëzakonisht punën e bërë nga SPAK-u, për shembull, në luftën kundër krimit të organizuar, në shpartallimin e bandave kriminale që veprojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në BE dhe, veçanërisht, në disa shtete anëtare të Bashkimit Europian”, tha ai.

Gonzato u ndal edhe tek zhbllokimi i  fondeve të IPARD për bujqësinë, për të cilën tha se Tirana është në negociata me Brukselin ndërsa rikonfirmoi se unioni është i vendosur për të ndihmuar këtë sektor, në mënyrë që fermerët shqiptarë t’i bëjnë balle konkurrencës kur Shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Europian.

Ambasadori vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë sa i përket përmbushjes së reformave të anëtarësimit ndërsa nënvizoi se është thelbësore të ruhet afati që qeveria i ka vendosur vetes, mbylljen e të gjithë kapitujve brenda 2027./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!