Bashkimi Evropian po përgatit operacionin më të madh në historinë e tij për përballimin e zjarreve pyjore gjatë verës së vitit 2026, në përgjigje të rrezikut në rritje nga valët e të nxehtit dhe thatësirat në kontinent.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se afro 800 zjarrfikës nga 14 vende do të dislokohen në zonat më të rrezikuara të Qipros, Greqisë, Italisë, Francës, Spanjës dhe Portugalisë. Gjithashtu, 22 avionë dhe pesë helikopterë të flotës evropiane do të jenë në gatishmëri për të mbështetur operacionet.
“Ky është solidaritet evropian në veprim. Zjarrfikës nga i gjithë kontinenti ndajnë të njëjtin mision, të mbrojnë njerëzit, shtëpitë dhe pyjet”, deklaroi von der Leyen.
Operacioni do të koordinohet dhe financohet nga Komisioni Evropian përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Ai do të mbështetet nga një qendër emergjence që funksionon 24 orë në ditë dhe nga ekspertë të specializuar për menaxhimin e krizave.
Po ashtu, BE-ja planifikon të krijojë një stacion të ri rajonal evropian për zjarrfikje në Qipro, me synimin për të forcuar kapacitetet e parandalimit dhe reagimit ndaj zjarreve pyjore në Evropë dhe në rajonin jugor të Mesdheut.


