BE paralajmëron për rënie të solidaritetit për refugjatët ukrainas

schedule15:45 - 6 Qershor, 2023

schedule 15:45 - 6 Qershor, 2023

Pavarësisht pritjes së ngrohtë që u është dhënë miliona refugjatëve nga Ukraina në Bashkimin Evropian që nga nisja e pushtimit rus, zyrtarët e BE-së thanë se ka frikë se kjo mbështetje mund të zbehet për shkak të ngadalësimit ekonomik, që veçmas prek familjet e varfra, dhe për shkak të ndikimit të propagandës ruse.

Komisionarja për Çështje të Brendshme e BE-së, Ylva Johansson, theksoi se mbështetja për 4 milionë refugjatë ukrainas është e qëndrueshme, por ajo shtoi se në një raport të posaçëm, “ajo që ne e quajmë ‘lodhje e solidaritetit’ ka nisur të shfaqet në disa shtete anëtare”.

“Kriza e kostos së jetesës ka nisur të prekë familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta në shoqëritë që kanë pranuar refugjatët, ku propagada ruse mund të jetë më e suksesshme”, tha në raport këshilltari i BE-së për Ukrainën, Lodewijk Asscher.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka “interes të madh që të ndikojë në opinionin publik lidhur me personat që janë larguar nga Ukraina. Diskursi për refugjatët mund të përdoret si armë për të krijuar ndarje brenda BE-së”, tha Asscher, duke shtuar se disa prej 27 shteteve anëtare të BE-së veçse po raportojnë për më shumë fushata dezinformuese për këtë çështje.

Për dallim nga hezitimi për të pranuar migrantët nga Mesdheu dhe zonat e luftës në Afrikë dhe Azi, refugjatët ukrainas janë mirëpritur në bllok që kur Rusia në shkurt të vitit të kaluar nisi luftën kundër Ukrainës, duke detyruar miliona persona të largohen në shtetet fqinje, sikurse Polonia, Sllovakia, Rumania dhe shtetet e tjera.

Komisionarja Johansson tha se kjo ishte lëvizja më e madhe e refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në BE aplikohet direktiva për mbrojtje të përkohshme që mundëson që ukrianasit të strehohen dhe të marrin ndihmë tjetër./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!