Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria është më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nga Shkupi, ku po merr pjesë në samitin për planin e rritjes, Rama u shpreh se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj, teksa shtoi se plani i rritjes do të realizohet.
“Sot jemi këtu për një tjetër ndalesë të rrugës së përbashkët, që lidhet me zbatimin e Planit të Ri të Rritjes, një plan i cili po ecën si duhet dhe po na afron për t’u lidhur më shumë me Bashkimin Europian. Ne jemi shumë krenarë, sepse kemi praktikisht përmbushur deri më tani, të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit.
Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumëshekullore, do thosha dhe nga ana tjetër, më vjen mirë që ka një atmosferë të përgjithshme pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër. Nuk kemi qenë asnjëherë më afër, jemi shumë afër dhe besoj shumë që ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona, siç kemi paraparë edhe afatet me Komisionin Europian dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht. “, theksoi ai.
Ndërkaq, në fjalën hyrëse të samitit, komisionerja Marta Kos tha se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor.
Ajo shtoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, teksa veçoi Shqipërinë, si vend që ka bërë përparim.
“Po shohim përparim të rëndësishëm. Shqipëria, i dashur kryeministër Edi Rama, ka hapur tre klasterë gjatë gjashtë muajve të fundit. Faleminderit për kontributin tuaj në suksesin e procesit të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do të mund t’i hapim të gjithë klasterët këtë vit. Ndërkohë, Mali i Zi mbylli edhe një kapitull të premten e kaluar./abcnews.al