BE mban dyert e hapura, Rama: Shpresojmë për vendim pozitiv në Tetor

schedule18:45 - 5 Korrik, 2019

schedule 18:45 - 5 Korrik, 2019

BE do t’i mbajë dyert e hapura për Ballkanin, por rajoni duhet të avancojë. Ka qenë ky mesazhi i përcjellë në samitin e Poznanit, në Poloni. I pranishëm, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shpreson në një vendim pozitiv për hapjen e negociatave në tetor.

Vendet e Ballkanit ende e kanë mundësinë e hapur për integrim në Bashkimin Evropian. Por, për një ritëm të saktë të ecurisë nuk është folur. Samiti i gjashtë i njohur si procesi i Berlinit është konsideruar si hapësirë e mirë për të diskutuar pasi takimet e tilla nuk janë shumë të shpeshta. Fokusi kryesor ka qenë se sa shpejt dhe si mund të integrohen vendet e Ballkanit. Kryeministri, Edi Rama, ka thënë se në këtë rrugë është edhe Shqipëria. Ka refuzuar të flas për politikën e brendshme, por ka takuar delegacionet gjermane dhe franceze.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë:  “Po, jam takuar, kemi biseduar. Në fokus ka qenë domosdoshmëria e një vendimi pozitiv të Këshillit në tetor. Është e qartë që vendimi i tetorit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë varet nga subjektiviteti teknik i shteteve anëtare dhe jo objektiviteti teknik i arritjeve tona. Sidoqoftë, ne do vijojmë përpjekjet tona dhe deri në sekondën e fundit do të bëjmë çmos që, duke u bazuar tek një koalicion shtetesh, të mund të marrim një vendim pozitiv”.

Vendet e tjera të rajonit kanë treguar për përpjekjet e tyre. Shpresën tek presidenca kroate e BE-së. Kurse një vëmendje të madhe në konferenca kanë tërhequr kryeministrja serbe, Ana Brnabic dhe ai i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në fund të ditës ka përgënjeshtruar ndalimin e vizitave në Kosovë për politikanët serbë dhe ka thënë se Prishtina është e gatshme për dialog kurdo që mendon pala tjetër, por pa kushte.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës:  “Vendet si Serbia e Mali i Zi garojnë për hapjen e kapitujve, Shqipëria dhe MV për hapjen e negociatave, Kosova për liberalizimin e vizave. Temë ishte edhe dialogu Kosovë-Serbi dhe Kosova kërkon një marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe një proces të qartë dialogu për të ecur përpara”.

Nga politika ndërkombëtare kanë qenë Theresa May dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ka thënë se në Ballkan ka progres, por duhet punuar ende./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!