BE kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri: Më parë duhet konsensusi i azilkërkuesve

schedule21:08 - 29 Gusht, 2018

schedule 21:08 - 29 Gusht, 2018

Bashkimi Europian ka kundërshtuar marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për pranimin e 20 emigrantëve. Brukseli zyrtar ka deklaruar se dërgimi i refugjatëve në një vend të tretë si Shqipëria bie ndesh me direktivat e Unionit, që kërkojnë më parë konsensusin e azilkërkuesve.

Bashkimi Europian ka kundërshtuar marrëveshjen e arritur mes Italisë dhe Shqipërisë për marrjen e 20 emigrantëve afrikanë nga anija “Diçoti”, e ankoruar në portin e Katanias. Një zëdhënëse e Komisionit ka deklaruar se kur bëhet fjalë për të shpërndarë emigrantët mes një vendi anëtar të BE-së me një vend të tretë nevojitet konsensusi i personave që bëjnë kërkesë për azil.

Në një takim me mediat në Bruksel, Natasha Bertaud ka deklaruar se autoritetet italiane duhet të publikojnë detajet e marrëveshjes me Tiranën edhe pse sipas saj që tani janë konstatuar shumë elementë që vënë në dyshim ligjshmërinë e paktit. “Legjislacioni i BE-së do të aplikohet edhe për këtë rast. Ndaj duhet verifikuar konsensusi i personave të interesuar, qofshin apo jo azilkërkues”, ka thënë Bertaud. Zëdhënësja e ka vënë theksin tek dy direktiva. E para ka të bëjë me procedurat e azilit, e cila parashikon që në rast se dikush bën kërkesë në vendet e BE-së duhet të njihet me procedurat e Unionit.

E dyta është ajo për riatdhesimet, që përcakton rastet kur është e mundur dërgimi në një vend të tretë. “Ndaj, në vija të përgjithshme rregullorja parashikon se një person nuk mund të dërgohet në një vend si Shqipëria kundër vullnetit të tij, përveç rasteve kur ka një lidhje me atë vend, ose kalon tranzit në të”, ka vijuar zëdhënësja. Ndërkohë, burime pranë BE-së kanë sqaruar për mediat italiane se në këto rrethana personat e zbritur nga anija “Diçoti” nuk mund të dërgohen në Shqipëri kundër vullnetit të tyre. Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë u takon autoriteteve italiane, konkretisht prokurorisë, që të ndërhyjë për respektimin e ligjeve të vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!