TIRANË- Bashkimi Evropian ka premtuar një paketë ndihme prej 6 miliardë euro për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, por këto para thonë ekspertët nuk është aq e lehtë për t’i përthithur nëse nuk ka projekte që i shërbejnë zhvillimit.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, i ftuar në “Sheshi i Dollarit” në ABC News, u shpreh se këto para janë fonde që jepen sipas meritës dhe jo sipas dëshirës.
“Kanë problematika vendet e Ballkanit në luftën kundër korrupsionit dhe në kapacitete e tyre…dhe vetvetiu këto elementë duhen parë me kujdes dhe pritshmëritë të jenë realiste dhe njerëzit të ndiejnë ato investime, që ndryshojnë jetën e tyre të përditshme. Investimet në infrastrukturë do të sjellin një ndryshim të dukshëm në Ballkan dhe për Shqipërinë. Secili vend duhet të rrisë kapacitete e tij të brendshme. Secili vend, së pari do duhet të jetë përgjegjës për paratë që do t’i përthithë. Nga ana tjetër do jenë fonde, që do jepen përkundrejt cilësisë së reformave, që janë reforma e shtetit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Është një ndihmë që duhet të meritohet dhe nuk është një ndihmë që dhurohet”, tha ai.
Studiuesi për Politikat e Qëndrueshme, Diego Abedinaj, shtoi se jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e tjera të Ballkanit do ta kenë të vështirë përthithjen e fondeve në fjalë dhe caktimin e sektorëve se ku duhet të adresohen investimet.
“Ky është një moment, jemi duke ndeshur disa rritje tensionesh dhe se si shtetet po përdorin mekanizmat e konkurrencës në ekonomi. Te shuma e alokuar do hasim vështirësi për t’i përthithur këto fonde dhe për të përzgjedhur sektorët për t’i marrë këto fonde”, tha ai./ n.m.abcnews.al