Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano këtë të hënë ka deklarauar se ato janë të gatshëm që të organizojnë një takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij është e rëndësishme që të krijohen kushtet për këtë.
Stano ka theksuar se në këtë fazë është e rëndësishme që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë.
“Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritës të takimit në nivel të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, kur të ketë kushte, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë. Por, në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë. Dhe pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së Mirosllav Lajçak. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, e Përfaqësuesi i Lartë do t’i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë” ka thënë Stano.
Ndërkohë në kuadër të situatës së krijuar në Veri sot Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të vizitojnë Kosovën dhe të martën Serbinë.
“Ata shkojnë për të vazhduar punën në zbatimin e thirrjeve evropiane dhe amerikane për Kosovën dhe Serbinë që të ulin menjëherë tensionet dhe të ndërmarrin hapa për zgjidhje të qëndrueshme. E platforma për këtë zgjidhje të qëndrueshme është gjithsesi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë mes tjerash Stano.
Ndërkohë në të tre komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbeët lokalë janë duke vazhduar protestat./abcnews.al

