Bashkimi Europian ka deklaruar se ndaj Shteteve të Bashkuara do të reagojë me masa reciproke nëse preket nga rritja e taksave për mallrat e importuara, masë të cilën presidenti Donald Trump e njoftoi javën e kaluar.
Bashkimi Europian është gati të veprojë shpejt dhe në mënyrën e duhur në rast se eksportet e tij do të preken nga masat agresive të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Deklarata është bërë nga zëdhënësi i presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, mbi rritjen e taksave për produktet e importuara nga Amerika.
“Kjo mund të zgjidhet vetëm në mënyrë të barabartë, ose reciproke, duke u bazuar tek rregullat përkatëse”, ka thënë zëdhënësi. Njoftimi për rritjen e taksave për produktet e importuara në Shtetet e Bashkuara u bë nga presidenti Trump javën e kaluar.
Në marrjen e vendimit, kreu i shtetit u bazua tek të dhënat e Komisionit Amerikan për Tregtinë me Jashtë, që sugjeronin se importet e huaja po dëmtonin prodhuesit vendas. Shefi i Shtëpisë së Bardhë akuzoi partnerët tregtarë se po bënin një lojë të padrejtë me Shtetet e Bashkuara.
Më së shumti masa, që parashikon rritjen deri në 50 për qind të taksave, pritet të prekë Kinën dhe Korenë e Jugut, e para ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë për panelet diellore dhe e dyta ndër të parat në prodhimin e lavatriçeve. Edhe Pekini me Seulin reaguan ndaj vendimit të administratës amerikane duke premtuar marrjen e masave analoge./abcnews.al