BE e përçarë për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor

schedule15:42 - 15 Shkurt, 2018

schedule 15:42 - 15 Shkurt, 2018

Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk janë në një mendje lidhur me zgjerimin në rajonin e Ballkanit Perendimor. Disa prej tyre mbështesin nxitjen e procesit të integrimit, ndërsa disa të tjerë theksojnë se duhet më shumë kohë për plotësimin e kushteve se viti 2025.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian nuk u pajtuan të enjten mbi një propozim të ekzekutivit të bllokut për të nxitur zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Gjatë një takimi në Bullgari, ministrat e Unionit diskutuan për herë të parë planin nga Komisioni Evropian, që përcaktoi 2025 si një qëllim për Serbinë dhe Malin e Zi për t’u bashkuar me bllokun.

Peter Szijjarto i Hungarisë ishte “shumë i zhgënjyer” nga ky objektiv, duke thënë se dy vendet e para nga Ballkani Perëndimor duhet të pranohen më 2022. “Mendoj se 2025 është shumë vonë dhe ata meritojnë një mënyrë shumë më të shpejtë për integrimin”, u tha gazetarëve ministri i Jashtëm i Budapestit, duke theksuar se hyrja në BE do të ndihmonte në zbutjen e tensioneve midis fqinjëve në një rajon që është në pragun e bllokut.

Polonia, Italia dhe Austria janë gjithashtu në mesin e atyre që favorizojnë shtimin e përpjekjeve për një hapje të BE-së për rajonin, që ka parë rritje të ndikimit rus dhe kinez. “Kush do të jetë i pari në Beograd, Kina apo BE? Ne duhet të kundërveprojmë, pasi fqinjët tanë të menjëhershëm”, u tha gazetarëve ministrja e Jashtme austriake, Karin Kneissl.

Por Gjermania, fuqia kryesore e BE-së, është shumë e përmbajtur, duke vënë në dukje mangësitë e sundimit të ligjit në shtetet e reja anëtare – duke nisur nga Rumania dhe Bullgaria, e duke përfunduar tek Polonia dhe Hungaria. Ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec, mendon se edhe 2025 ishte “jo realist”, duke thënë se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë më shumë kohë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe për të përmbushur kriteret për hyrjen në BE. Jean-Yves Le Drian i Francës ishte gjithashtu i kujdesshëm. “Është e qartë se ka kushte dhe se këto kushte duhet të kërkohen”, nënvizoi ministri i Jashtëm./abcnews.al