Bashkimi Evropian do të ndërmarrë hapa për të kufizuar qasjen e fëmijëve të vegjël në rrjetet sociale në të gjitha 27 vendet anëtare, ka thënë të hënën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ajo ka prezantuar një dokument të përgatitur nga dy ekspertë, i cili rekomandon një qasje të shkallëzuar.
Sipas propozimit, fëmijëve nën moshën 13 vjeç do t’u lejohet përdorimi i rrjeteve sociale vetëm për periudha të kufizuara kohore dhe nën mbikëqyrjen e prindërve, kujdestarëve ose mësuesve. Kufizimet do të hiqen gradualisht, ndërsa adoleshentët rriten në moshë.
“Është e qartë se kemi nevojë për kufizime të përshtatshme sipas moshës për platformat”, u ka thënë von der Leyen gazetarëve në Bruksel.
“Pyetja nuk është më nëse fëmijët përballen me rreziqe në internet, por çfarë mund të bëjmë që t’u ofrojmë atyre një fillim më të sigurt në botën online”, ka shtuar.
Von der Leyen ka bërë të ditur se ka shumë gjasa të ndjekë rekomandimet e ekspertëve dhe se Komisioni Evropian do të paraqesë një propozim konkret pas verës. Ajo pritet ta shpallë atë gjatë fjalimit të saj për gjendjen e Bashkimit Evropian në muajin shtator.
Australia, Britania e Madhe, Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë ndalime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit ose po shqyrtojnë masa të tilla. Këto kufizime synojnë kryesisht platformat TikTok, YouTube të Alphabet-it, si dhe Instagram dhe Facebook të Meta-s.
“Së pari duhet të përcaktojmë se cilat lloje platformash janë të dëmshme për fëmijët tanë. Provat tregojnë se këto janë kryesisht platformat e rrjeteve sociale, por edhe ofrues të tjerë që kanë funksione të papërshtatshme për moshën dhe që krijojnë varësi. Pra, mendoni për këtë si ‘rrjete sociale plus’”, ka shtuar von der Leyen.



