“Kurti po rrezikon sigurinë”, BE: Thirrjet tona janë shpërfillur prej tij, po përshkallëzon situatën

schedule09:51 - 31 Gusht, 2024

schedule 09:51 - 31 Gusht, 2024

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian ka dënuar mbylljen e pesë strukturave paralele serbe në komunat në veri të Kosovës, duke thënë se është i zhgënjyer nga mungesa e vazhdueshme e koordinimit të qeverisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe ata të sigurisë.

Në një deklaratë, BE thotë se aksioni i ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për mbylljen e pesë komunave paralele serbe në veri të vendit “vë në rrezik situatën e brishtë të sigurisë në terren”. Sipas BE, ky aksion mund të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës të paqëndrueshme.

BE thekson se qeveria e Kosovës ka shpërfillur vazhdimisht thirrjet e tyre për të shmangur veprime të tilla.

“BE-ja është e zhgënjyer për mungesën e vazhdueshme të koordinimit me ofruesit e sigurisë së Kosovës dhe me partnerët ndërkombëtarë. Operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës kundër zyrave të mbështetura nga Serbia në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i zhvilluar me udhëzime të Qeverisë së Kosovës, rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren. EULEX-i u vendos menjëherë për të monitoruar zhvillimin e këtij operacioni, i cili nuk ishte i koordinuar me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë.

BE dëshiron të përsërisë se Kosova është zotuar të de-përshkallëzojë. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga qeveria e Kosovës. BE-ja dëshiron të përsërisë se operacioni aktual i policisë kundër zyrave të mbështetura nga Serbia mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme.

Zyrat e mbështetura nga Serbia janë paraparë të adresohen dhe zgjidhen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne presim që Kosova dhe Serbia të adresojnë dhe zgjidhin çështjet e hapura mes tyre në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”, thuhet në deklaratën zyrtare të publikuar nga zëdhënësi Peter Stano.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!