Ministria e Kulturës ka nënshkruar një marrëveshjeje prej 40 milionë eurosh për restaurimin dhe rijetëzimin e monumenteve të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit. Me firmosjen e marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe UNOPS u bë edhe çelja e programit EU4CULTURE, që do të shtrihet në 35 objekte të rëndësishme.
Për të folur më tepër rreth rimëkëmbjes së monumenteve të kulturës, e ftuar këtë pasdite në Abc News ishte ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Në bisedën me gazetarin Endri Xhafo, Margariti tregoi se nuk kemi të bëjmë thjesht me restaurime fasadash, por me një ndërhyrje më të specializuar, që sipas saj do t’i japë më shumë komunitetit.
Ministrja u shpreh se në listën e restaurimit janë mbi 50 kisha, muze, Kalaja e Krujës, galeria e arteve, kulla e Prezës, Muzeu Historik Kombëtar, etj. Ajo shtoi se dëmet në këto struktura janë specifike.
Sa i përket fondeve, ato do të menaxhohen nga Bashkimi Evropian.
Lidhur më këtë fakt, zonja Margariti u shpreh:
“Ne jemi struktura kryesore, që kemi hartuar të gjithë listën e dëmeve, ne kemi shprehur vizionin se ku duam të arrimë më rimëkëmbjen e këtyre monumenteve…Ne jemi të kënaqur që një organizatë si Komisioni Evropian na vë në dispozicion ekspertët e tyre… Për ne është transparencë e shtuar.”
Sa i përket rijetëzimit të monumenteve, ministrja u shpreh se ka të bëjë me një shtim të shërbimeve, gjë që do të sjellë edhe më shumë të ardhura.
“Ne po krijojmë lagje të reja. Jo vetëm fasada, por edhe komunitetit. Do ftojmë të rinj, do të bëhen workshope, takime me studentë, nga dega nga më të ndryshme.”
Afati final i këtij projekti sipas Margaritit është tre vjet.
Ndërsa, e pyetur lidhur me deklaratat e presidentit Ilir Meta ditën e Trashëgimisë Kulturore, rreth shembjes së Teatrit Kombëtar dhe jo vetëm, Margariti u shpreh se i vjen mirë që presidenti po e kthen vëmendjen edhe tek arkeologjia.
“Më vjen mire që presidenti e kthen vëmendjen tek arkeologjia e trashëgimia. Çfarë ka bërë më parë në pozita të ndryshme, nuk arrij të kujtoj se çfarë mund të jetë ndonjë kontributi që mund të ketë dhënë. Këto janë ngjyrime politike.”
Elva Margariti tha po ashtu se ministria e Kulturës ka bërë gati disa protokolle të reja sa i përket prezencës së publikut në salla, dhe shtoi se i janë dërguar ministrisë së Shëndetësisë e po pritet një përgjigje përfundimtare.
Ministria theksoi se shqetësimi i saj janë aktorët pasi ata penalizohen më shumë nga mungesa e distancës fizike. s.b/abcnews.al/