Grupet kriminale mund të sofistikohen, por kjo nuk do të thotë se agjencitë ligjzbatuese duhet të mbeten prapa. Policia spanjolle ka dhënë provën, duke asgjësuar një bandë marokene që kishte ngritur baza me radarë, që i sinjalizonte për patrullat detare dhe ajrore të forcave të rendit.
Policia në Spanjë ka bastisur disa ambjente të përdorura nga një grup kriminal maroken si baza të pajisura me radarë të sofistikuar që sinjalizonin trafikantët e drogës për afrimin e patrullave të policisë.
Bazat kryesore kanë qenë dy shtëpi në të cilat ishin vendosur radarët, por edhe antena të teknologjisë së lartë, përmes të cilave trafikantët monitoronin lëvizjet e varkave dhe helikopterëve të policisë. Në këtë mënyrë, ata arrinin të mbronin ngarkesat e drogës që kalonin përmes Ngushticës së Gjibraltarit dhe zbarkonin në plazhin Kadiz.
“Infrastruktura që kishin ngritur u mundësonte të lokalizonin patrullat detare dhe ajrore dhe t’u jepnin informacione në kohë reale anëtarëve të grupit që drejtonin vakrat me hashash”, thuhet në një deklaratë të policisë spanjolle.
Forcat e rendit kanë bastisur 16 banesa në lokalitetin La Linea dhe dy të tjera në Manilva, duke arrestuar 10 persona dhe sekuestruar armë zjarri, varka të shpejta, automjete dhe 50 mijë euro para të thata. Sipas autoriteteve iberike, grupi kriminal ishte i strukturuar me një hierarki të rreptë dhe çdo anëtar i tij kishte detyra specifike./abcnews.al