Baza ushtarake e NATO-s, banorët e Kuçovës kundërshtojnë vlerën e shpronësimeve

schedule16:04 - 1 Dhjetor, 2021

schedule 16:04 - 1 Dhjetor, 2021

Banorët e fshatit Moravë kanë protestuar tek pista e aviacionit të Kuçovës ku është parashikuar të ngrihet baza ajrore e NATO-s në Ballkan.

“Shteti po me merr shpirtin ku të shkoj ku të mbytem në këtë moshë.”

Janë 213 familje që nuk pajtohen me vlerën e shpronësimeve prej 203 lekë për metër katrorë.

“Të bëhet projekti i NATO-s por shpronësimi të vlerësohet si në vende të tjera të rajonit si në Kosovë që u vlerësua për 75 dollarë për metër katrorë për tokë, apo në Greqi për 60 euro, ne na e japin për 1.80 euro për metër katrorë. Po na heqin bukën e gojës. Rama ta kuptojë këtë se i dhamë mandatin e tretë. Nga 200 mijë euro që kam shpenzuar për shtëpinë me jep 90mijë euro.”

“S’jemi dakord me çmimin e tokës pikë mbaroi. Erdhi shkresa nga ministria e mbrojtjes që do jetë 2 milionë e 300. Bëmë ankesë. Ne nuk largohemi të marrin ekspertë të shohin me sa shitet toka këtu,” thotë një banor.

Thonë se ju janë bërë dhe kërkesa qesharake.

“Më thonë në shkresë sposto serën, sera s’është objekt ta lëviz me rrota ku ta çoj.”

Këta banorët kanë vendosur që nëse çmimi i shpronësimit nuk ndryshon protestën e radhës do ta mbajnë në Tiranë tek Ministria e Mbrojtjes. /abcnews.al/