Basketbolli ndan Superkupat/ Besëlidhja triumfon në finalen e meshkujve, Flamurtari mund Tiranën në kategorinë e femrave

schedule19:36 - 9 Tetor, 2024

schedule 19:36 - 9 Tetor, 2024

Besëlidhja jetoi suksesin e parë në sezonin e ri të basketbollit për meshkuj.

Skuadra lezhjane fitoi Superkupën e Shqipërisë për meshkuj, pasi mundi në finale Tiranën me rezultatin e thellë 100-57.

Diferenca e madhe në shifra tregon qartë dominimin e Besëlidhjes, që mori shpejt kryesimin dhe e ruajti atë deri në fund.

Një paraqitje e shkëlqyer e skuadrës së drejtuar nga Afrim Bilali, që imponoi ritmin dhe rezultatin e finales së luajtur në pallatin e sportit “Apolonia” të Fierit.

Lojtari më i mirë i ndeshjes u shpall, Julian Hamati, që shënoi 15 pikë, kapi tetë topa në tabelë dhe dha 4 asist në triumfin e lezhjanëve.

Me fitimin e Superkupës së Shqipërisë, Besëlidhja ka nisur në mënyrën më të mirë edicionin e ri të basketbollit për meshkuj, duke shpallur kandidaturën serioze edhe në garën për titullin kampion.

Ndërkohë, trofeu i Superkupës në basketbollin për femra u fitua nga Flamurtari.

Skuadra vlonjate mundi në finale Tiranën me rezultatin 81-59. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!