Basketboll/ Tirana kampione për femra, “Bardheblutë” fitojnë titullin e 42-të në histori

schedule16:36 - 4 Maj, 2024

schedule 16:36 - 4 Maj, 2024

Më në fund i kthyen ditët e lavdishme. “Bardheblutë” e Tiranës janë sërish kampionet e Shqipërisë në basketboll për femra, me skuadrën kryeqytetasve, që fitoi bardheblu fitoi finalen e katërt të “play-off” ndaj “Kuqezinjve”, të Flamurtarit me shifrat 71-51, duke triumfuar me meritë këtë sezon.

Ndeshja u luajt në Sallën Olimpike “Feti Borova” në kryeqytet dhe skuadra e trajneres Mirza Alibegaj dominoi gjatë gjithë kohës duke fituar tre nga katër periodat, me rezultatet 18-8, 12-16, 22-12 dhe 19-15.

Flamurtari ishte skuadra kampione në fuqi dhe ekipi që ka dominuar basketbollin shqiptar në dekadën e fundit, madje ishte favorit për titull, kjo sepse e përfundoi sezonin në vendin e parë dhe kishte të drejtë të luante një ndeshje më shumë në fushën e vet, mirëpo vajzat “Bardheblu” ishin më lart në finalet e “play-off” duke arritur tre fitore e duke pësuar vetëm një humbje.

Ky ishte titulli i 42-të në histori për Tiranën, që është rekordmene në vendin tonë. Të mos harrojmë, se skuadra “Bardheblu” ka vendosur dikur një rekord botëror me 26 tituj kampion radhazi. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!