Bashkitë rëndojnë gjeneratat e ardhshme me lejet e ndërtimit

schedule07:42 - 12 Korrik, 2020

schedule 07:42 - 12 Korrik, 2020

Në fund të vitit 2019, të gjitha bashkitë në vend mblodhën të ardhura nga burimet e veta vendore (taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asete dhe të tjera) në një vlerë prej rreth 25.6 miliardë lekësh, në rritje me rreth 5.5% në terma vjetorë, ose rreth 1.4 miliardë lekë më të larta nga niveli i regjistruar vitin e mëparshëm, sipas raportit të financave vendore për vitin 2019, publikuar nga projekti financatvendore.al. 25% e të ardhurave të të gjitha bashkive ishin nga të ardhurat e siguruara nga Bashkia e Tiranës nga lejet e ndërtimit.

Ndonëse në terma të përgjithshëm, të ardhurat nga taksat vendore rezultojnë të kenë shënuar zhvillime pozitive, një vështrim i hollësishëm mbi elementet përbërëse nxjerr në pah dobësitë afatgjata apo varësinë ndaj një numri të kufizuar taksash.

Në tre vitet e fundit, performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elemente: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall).

Ndërkohë që pesha e kësaj të fundit është tkurrur, pesha e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtime të reja është rritur me ritme të përshpejtuara. Në vitin 2019, këto dy lloje taksash përfaqësuan 85.8% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore.

Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan tkurrjen edhe në vitin 2019. Gjithashtu, seria e të dhënave për taksat vendore, duke përjashtuar Bashkinë e Tiranës, tregon për një prirje rritëse të moderuar të të ardhurave nga taksat vendore për 60 bashkitë në periudhën 2010-2019, theksohet në raport.

Bashkia e Tiranës, ulen të ardhurat, taksa e infrastrukturës nivel rekord

Bashkia e Tiranës kishte në total në dispozicion në vitin 2019 rreth 21.3 miliardë lekë të ardhura, me një rënie të lehtë prej 1% në raport me vitin e mëparshëm, sipas statistikave që projekti financatvendore.al vuri në dispozicion të “Monitor”.

67% të të ardhurave, Bashkia i siguron nga taksat dhe tarifat që mbledh nga bizneset dhe individët, ndërsa pjesa tjetër vjen nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara të qeverisë. Tendenca negative në 2019-n është ndikuar nga rënia e transfertave të qeverisë, që u tkurrën me 13%, ndërsa të ardhurat nga taksat e tarifat u rritën me 6% me bazë vjetore.

Prej disa vitesh, taksa e ndikimit në infrastrukturë është zëri kryesor nga i cili Bashkia e Tiranës i siguron të ardhurat. Sipas të dhënave të Financatvendore.al, nga kjo taksë, bashkia e kryeqytetit siguroi 6.2 miliardë lekë, ose 43% të totalit të të ardhurave që ajo mbledh nga taksat e tarifat. Në raport me vitin 2015, të ardhurat nga ky zë janë 10-fishuar, duke e bërë Bashkinë të varur nga të hyrat që siguron nga dhënia e lejeve të ndërtimit.

Duke pasur parasysh që taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është 8% e vlerës së shitjes, lejet e dhëna në Tiranë në vitin 2019 i korrespondojnë një vlere ndërtimi prej rreth 630 milionë eurosh (përllogaritje të Monitor).

Sipas INSTAT, në vitin 2019, sipërfaqja e lejeve të dhëna për ndërtim në kryeqytet arriti në rreth 1.5 milionë metra katrorë, me një rritje prej 55% në raport me vitin e mëparshëm dhe duke shënuar një nivel rekord të paktën që prej vitit 2010, kur raportohen të dhënat e detajuara sipas rretheve.

Portali i Financave Vendore ngre shqetësimin se taksa e ndikimit në infrastrukturë është shndërruar në një burim të qenësishëm i të ardhurave në buxhetin vendor, veçanërisht në bashkitë e mëdha si Tirana, Durrësi, Lezha etj.

Rritja e kontributit të kësaj takse në buxhetin vendor do të kërkonte njëkohësisht parashikime dhe angazhime afatmesme deri/dhe afatgjata në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike vendore për zhvillimet e reja. Në total, në nëntë muajt e parë të vitit 2019 janë shtuar rreth 1.6 milionë metër katrorë ndërtime të reja, të cilat do të duhej të shoqëroheshin me infrastruktura publike mbështetëse.

Gjithashtu, duke qenë një burim të ardhurash i fundmë dhe jo i vazhdueshëm, bashkitë duhet të gjejnë zgjidhje dhe të aftësohen për t’u bërë ballë detyrimeve financiare të sotme dhe atyre të ardhshme, përballë një buxheti të kufizuar – kjo do të krijonte kushte të favorshme dhe do të ishte në përputhje me konceptin e barazisë ndër-gjeneracionale.

Praktikisht, të ardhurat e realizuara sot nga kjo taksë do të duhej të investoheshin për të siguruar infrastrukturat e nevojshme publike si dhe operimin e tyre në të ardhmen, pa rënduar në buxhetet e gjeneratave të ardhshme, thuhet në raport.

Rritet varësia nga lejet e ndërtimit/ Pesha e të ardhurave nga taksa e infrastrukturës/totalit të burimeve të veta

Pas taksës së infrastrukturës, zëri i dytë që i siguron më shumë të ardhura bashkisë është taksa mbi pasuritë e paluajtshme, 1.85 miliardë lekë, ose 13% të totalit të burimeve të veta.

Për pastrim dhe gjelbërim, bizneset dhe individët paguan 1.8 miliardë lekë, ose 12.5% të totalit. Kjo taksë është rritur këtë vit me 15-65% për subjektet e vogla e të mëdha, e argumentuar ndër të tjera me shpenzimet që duhen për të paguar inceneratorin e Tiranës. Tarifat administrative i sigurojnë buxhetit të bashkisë 1.5 miliardë lekë, ose 10.3% të burimeve të veta. Taksat e tjera sjellin në buxhet më pak sesa 1 miliard lekë (shih grafikun).

Në kahun e shpenzimeve, 37% shkojnë për investime kapitale, dhe 22% për personelin.

Durrësi, i varur nga transfertat e qeverisë

Të ardhurat e Bashkisë së Durrësit ishin 4.1 miliardë lekë në vitin 2019, me një rritje prej 3.6% me bazë vjetore. Ndryshe nga Tirana, që pjesën më të madhe të të ardhurave i siguron nga taksat e tarifat e veta, Durrësi është i varur nga transfertat e qeverisë, që i sollën 67% të totalit të fondeve.

Qyteti bregdetar e ka më të diversifikuar strukturën e të ardhurave. Peshën kryesore e mban Taksa mbi pasurinë e paluajtshme, me 18.7% të burimeve të veta. Në pothuajse të njëjtat nivele janë dhe të hyrat nga Taksa e ndikimit në infrastrukturë. Tarifa e pastrimit sjell gati 18% të të ardhurave të veta të bashkisë.

Në kahun e shpenzimeve, rreth 33% e zënë investimet kapitale. Për personelin, bashkia shpenzon gati 27% të burimeve totale.

Bashkia e Fierit shpenzon dy herë më shumë për paga se për investime kapitale

Bashkia e Fierit kishte në dispozicion 2.5 miliardë lekë në vitin 2019, me një rënie prej 12% me bazë vjetore. Tkurrja ka ardhur nga rënia e transfertave qeveritare, ndërsa burimet e veta vijuan tendencën zgjeruese.

Nga taksat dhe tarifat, Bashkia arrin të sigurojë vetëm 30% të fondeve të saj totale.
Bashkia e Fierit është e varur nga taksa për pasuritë e paluajtshme, që sjell gati 31% të fondeve të veta. Nga tarifa e pastrimit dhe e gjelbërimit, sigurohen gati 16% e totalit.

Bashkia ka realizuar pak investime në qytet. Të dhënat tregojnë se pesha e shpenzimeve kapitale është minimale, në vetëm 18% të totalit. Në të kundërt, nuk është kursyer për personelin, fondi për të cilin është sa dyfishi i investimeve kapitale, duke zënë 32% të fondeve që Bashkia e Fierit ka në dispozicion gjatë një viti.

Elbasan, të ardhurat kryesore nga tarifa e pastrimit dhe gjelbërimit

Prej tre vitesh, të ardhurat e Bashkisë së Elbasanit kanë qëndruar në nivelin e rreth 3.8 miliardë lekëve. Transfertat e qeverisë sigurojnë pjesën më të madhe të totalit, me rreth 78% të totalit. Pjesën më të madhe të të ardhurave të veta, Elbasani i merr nga tarifa e pastrimit dhe e gjelbërimit, me 26% të totalit, si rrjedhojë e industrisë së rëndë që zhvillohet në rrethinat e këtij qyteti.

Nga Taksa mbi pasurinë e paluajtshme sigurohet 21.3% e fondeve të veta dhe nga Taksa e ndikimit në infrastrukturë, rreth 16%. Ashtu si Fieri, edhe Elbasani shpenzon më shumë për pagat e punonjësve, sesa për investime kapitale. Pagat e personelit përbënin rreth 26% të totalit, përkundrejt 17% të atyre kapitale.

Shkodra, bien të ardhurat

Bashkia më e madhe e Veriut, Shkodra, kishte burime totale prej 2.71 miliardë lekësh në vitin 2019, me një rënie të lehtë në raport me vitin e mëparshëm, e ndikuar nga tkurrja e të ardhurave nga taksat e tarifat.

Ashtu si në pjesën më të madhe të bashkive, janë tarifat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara të qeverisë qendrore që përballojnë pjesën më të madhe të burimeve të Shkodrës, me rreth 75% të totalit. Nga të ardhurat e veta, zëri që sjell më shumë të ardhura në buxhet është tarifa e gjelbërimit dhe e pastrimit, me 32% të totalit, e ndjekur nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme, me 21%.

Shkodra është në të njëjtën linjë me disa bashki të tjera, të cilat i kushtojnë më shumë rëndësi personelit sesa investimeve që nevojiten për qytetin. 29% e totalit të shpenzimeve të Bashkisë së Shkodrës shkojnë për pagat e personelit, ndërsa vetëm 21% për investimet kapitale.

Taksa mbi pasuritë e paluajtshme e nën mbledhur

Taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera mbi to, përbën një burim të qenësishëm dhe të qëndrueshëm të ardhurash për buxhetin vendor, sipas raportit vjetor të financave vendore. Në tre vitet e fundit, të ardhurat nga kjo taksë vlerësohen në rreth 0.3% ndaj PBB-së nominale, raport ky ndjeshëm më i ulët krahasuar me mesataren e BE-së prej rreth 1.6% të PBB-së për vitin 2017 (NALAS 2019).

Ndonëse ndër vite, të ardhurat e mbledhura nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme kanë ndjekur përgjithësisht prirje rritëse, problematikat e lidhura me të drejtat e pronësisë dhe mungesës së regjistrave kadastrale, ndër të tjera, pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit të kësaj takse.

Në vijim të reformimit rrënjësor të kësaj takse nëpërmjet Ligjit nr. 106/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, ‘Për sistemin e taksave vendore’, të ndryshuar”, viti 2019 pritej të ishte dhe viti kur të gjitha bashkitë në vend do të aplikonin taksën e pronës sipas metodologjisë të re, bazuar në komunikimet në media të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Aktualisht, jo të gjitha bashkitë e kanë ndërmarrë këtë hap, si pasojë e problematikave në mbledhjen e të dhënave të nevojshme për aplikimin e kësaj metodologjie./marre nga monitor/