Bashkitë pa kryetarë, pas përgjigjes së KQZ, Meta letër Kryeministrisë, çfarë kërkon

schedule19:30 - 17 Janar, 2022

schedule 19:30 - 17 Janar, 2022

Pas përgjigjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për bashkitë pa kryetarë, Presidenti i Republikës Ilir Meta i kërkon Kryeministrisë informacion mbi njësitë vendore ku kryetarëve iu ka mbaruar mandati në mënyrë të parakohshme.

Më herët në një përgjigje dërguar Presidencës KQZ, thekson se pa kryetar janë vetëm tre Vora, Dibra dhe Shkodra dhe jo gjashtë siç është pretenduar nga Presidenti. KQZ thotë se nuk kanë asnjë informacion për Lushnjen, Rrogozhinën dhe Durrësin.

Gjendur në këto kushte Presidenca ka dërguar kërkesë në Kryeministri për të marrë informacion lidhur me bashkitë që janë aktualisht pa kryetar.

“Në këto kushte, përpos informacionit të sjellë nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 92/h të Kushtetutës, kërkon nga Këshilli i Ministrave të informohet mbi:

 

  • Kush janë saktësisht ato Njësi të Qeverisjes Vendore – Bashki, (përpos informacionit të sjellë nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve) në të cilat përgjatë kësaj periudhe 30 qershor 2019 – Janar 2022, sipas informacionit, vlerësimit dhe vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave, Kryetarëve të Bashkive u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme.
  • Cili është shkaku ligjor dhe akti përmes të cilit është realizuar përfundimi i parakohshëm i mandatit dhe për plotësimin e të cilit është i nevojshëm organizimi i zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.” Thuhet në letrën e Presidencës.


 

Më herët Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka kthyer përgjigje presidentit Ilir Meta  në lidhje me bashkitë që kanë mbetur pa kryetar pasi ky i fundit njoftoi se ka nisur procedurat për të shpallur datën e zgjedhjeve për bashkitë që nuk kanë kryetar. Në shkresën e saj, ajo thekson janë 2 bashki për të cilat KQZ është njoftuar në rrugë institucionale për vakancën atë të Shkodrës dhe atë Dibrës. Ndërsa në bashkinë e Vorës mandati i ish-kryetarit Agim Kajmaku u shpall i pavlefshëm.

Ndërkohë që për rastet e tre bashkive të tjera, këshillat bashkiakë sipas ligjit kanë vënë në dijeni vetëm këshillin e ministrave dhe jo Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në rastin e Shkodrës, kemi bërë me dorëheqje të kandidatit Valdrin Pjetri për të cilën ka vënë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një precedent i ngjashëm është edhe ai në bashkinë e Durrësit ku kryetarja Valbona Sako u dorëhoq nga posti pas deklaratës së bërë pas tërmetit të 26 Nëntorit, por në këtë rast KQZ nuk është vënë në dijeni.

Në Bashkinë e Lushnjes, Fatos Tushe u shkarkua me vendim të kryeministrit Edi Rama pas arrestimit për shkelje në tendera. Një rast i veçantë është ai i Rrogozhinës, kur kryebashkiaku Haxhi Memolla ndërroi jetë si pasojë e një arresti kardiak duke lënë bosh postin e kryetarit.

Për shkak të rrethanave, procesi për shpalljen e vakancës në këto bashki nuk është kaluar përmes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Tashmë presidenti do duhet të kërkojë informacion në kryeministri, pasi ky institucion e monitoron këtë proces përmes prefektëve. 

Pak ditë më parë, presidenti Ilir Meta tha se i ka dërguar një letër Komisionerit Zgjedhor për të marrë informacion mbi bashkitë që nuk kanë kryetar në mënyrë që të vijohet më pas me procedurat që ndjekin për zgjedhjen e krerëve të tyre. Në këtë mënyrë, Meta është duke shkuar drejt shpalljes së datës së zgjedhjeve të pjesshme lokale. Presidenti tha se nuk ka nevojë të konsultohet me askënd pasi këto janë zgjedhje lokale dhe jo të përgjithshme.

 Bashkitë që kanë mbetur pa kryetar

1- Bashkia e Shkodrës – Pasi kryetari i dalë nga zgjedhjet, Valdrin Pjetri ra në “rrjetën” e dekriminalizmit.

2- Bashkia e Vorës – Pasi kryetari Agim Kajmaku, po ashtu “u dogj” nga dekriminalizmi.

3- Bashkia e Durrësit – Pasi Valbona Sako dha dorëheqjen pas tërmetit të nëntorit.

4-  Bashkia e Rrogozhinës – Pasi kryetari Haxhi Memolla ndërroi jetë.

5- Bashkia e Dibrës – Pasi Dionis Ymeri la postin për të kandiduar si deputet.

6 – Bashkia e Lushnjës – Pasi Fatos Tushe u shkarkuar nga kryeministri Edi Rama, pas arrestimit për korrupsion.

/abcnews.al/ 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!