Bashkimi Europian ka kritikuar Iranin lidhur me dhunën në protestat anti-qeveritare. Brukseli thotë se është e papranueshme humbja e jetëve njerzore. Në mbi 1 javë manifestime, janë regjistruar mbi 20 viktima.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian Federika Mogerini shprehu keqardhje për “humbjen e papranueshme të jetës njerëzore” lidhur me protestat në Iran. Gjithsej 21 persona janë vrarë në protestat që shpërthyen të enjten e kaluar në qytetin Mashhad dhe që u përhapën shpejt në qytete të tjera. “Bashkimi Europian është duke ndjekur nga afër demonstratat e vazhdueshme në Iran, rritjen e dhunës dhe humbjen e papranueshme të jetës njerëzore”, tha Mogerini në një deklaratë të lëshuar në emër të BE-së.
“Demonstrimi paqësor dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore që zbatohen për çdo vend dhe Irani nuk është përjashtim”, shton ajo, duke nënvizuar se ishte vënë në kontakt me autoritetet iraniane. “Në frymën e sinqeritetit dhe respektit që është në rrënjët e marrëdhënies sonë, ne presim që të gjithë palët të përmbahen nga dhuna dhe të garantojnë lirinë e shprehjes”, tha Mogerini.
Ndërkohë, manifestimet janë sfida më e madhe për regjimin islamik që prej protestave masive mbi zgjedhjet e diskutueshme presidenciale në 2009./abcnews.al