Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka hedhur poshtë aludime se ka një krisje mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Veliaj u shpreh se gaboi me emërimin e Sara Goxhajt në krye të bashkisë si e deleguar, duke hequr Anuela Ristanin.
Veliaj shtoi se ridelegimin e kishte formosur me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues dhe se nuk ka pasur informacion të mjaftueshëm.
“U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh. E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm. E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi”, thuhet në njoftimin e Veliajt në rrjetet sociale./abcnews.al