Bashkia e Tiranës projekt për rehabilitimin e Kishës 237-vjeçare të Shën Prokopit

schedule12:26 - 19 Dhjetor, 2017

schedule 12:26 - 19 Dhjetor, 2017

Kisha e Shën Prokopit në Parkun e Liqenit të Tiranës, e ndërtuar në vitin 1780, do të rikonstruktohet. Lajmin e mirë për besimtarët në këtë prag Krishtlindjesh e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili iu bashkua aksionit për mbjelljen edhe të 100 pemëve të tjera në park. Kisha dhe mjedisi përreth saj do të restaurohet plotësisht, për ta kthyer në identitet.

“Në këtë prag Krishtlindjesh, kemi një lajm edhe për kishën që ndodhet te Liqeni, e cila u shkatërrua gjatë kohës së komunizmit. Kisha e famshme e Shën Prokopit, e kthyer në një restorant, sot i është kthyer kishës, por vazhdon të duket si bar-bufe sovjetike e viteve ‘70-‘80. Kemi marrë një vendim për ta rikthyer kishën siç ka qenë, për t’u siguruar që jo vetëm komunitetet e besimit, por edhe Liqeni që është ndërtuar rreth kishës së Shën Prokopit, të kthehet në identitet të plotë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se restaurimi i këtij objekti kulti dhe rehabilitimi e hapësirës së Parkut të Madh, krijon një xhevahir të vogël në kryeqytet. “Kisha e liqenit nuk do jetë më një vend ku kryhen shërbesat në bar-bufenë e realizmit socialist, por një vend i cili ka gjithë karakteristikat identike të kishës së vjetër që u prish. Bashkë me kompleksin e Amfiteatrit, rregullimin e Varrezave të Ushtarëve, fushat e reja sportive multifunksionale dhe rrugicat e reja “1000 selvitë”, them që kemi krijuar një xhevahir të vogël në Tiranë”, tha Veliaj.

Duke u ndalur tek aksioni për mbjelljen e 100 pemëve të reja, kryebashkiaku Veliaj njoftoi plotësimin me pemë të të gjithë rrugës së “1000 Selvive” brenda Parkut të Liqenit Artificial, që fillon nga Kisha Orthodokse dhe përfundon tek Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave.

Ai shtoi se dhjetori ka qenë muaji rekord i dhurimit të pemëve të reja nga qytetarë dhe donatorë, duke arritur në 20 mijë të tilla. “Ka qenë muaji rekord i dhurimit të pemëve. Vetëm në Bashkinë e Tiranës, duke marrë parasysh edhe parqet, edhe pjesët e mbjelljeve brenda qytetit, kemi pasur mbi 20 mijë pemë të dhuruara, përtej fondit që ka vetë Bashkia. Do të thotë që njerëzit kanë përdorur atmosferën e festave, sebepet familjare, një lindje, një ditëlindje, një përkujtim, për t’i dhënë qytetit një pemë dhe për t’i përkujtuar njerëzit në gëzimet apo hidhërimet e tyre, përmes një peme apo një stoli”, u shpreh ai, teksa falenderoi qytetarët dhe të rinjtë vullnetarë për këtë solidarizim me nismën e Bashkisë së Tiranës për të shtuar sipërfaqet e gjelbra në kryeqytet.

“Të dhurosh diçka është mirë, por të dhurosh kohën tënde, do të thotë se ke dhuruar një pjesë të jetës tënde. Ndaj ju falenderoj me gjithë zemër, të gjithë vullnetarët e gjimnazistët, studentët, për faktin që kanë kuptuar më në fund se siç është rrjeti social, smartphone-i apo një veshje e caktuar trend, edhe mbjellja e pemëve është kthyer në trend. Kjo tregon emancipim përtej viteve të moshës që kanë të rinjtë tanë”, nënvizoi ai.

“Rruga e 1000 Selvive”, ashtu si ka hyrë në memorien kolektive të kryeqytetit, është nga të parat monumente të gjelbra në park dhe daton në vitin 1959, vetëm një vit pas ndërtimit të Parkut të Madh./abcnews.al