Bashkia e Tiranës fond 1 milion dollarë për dëmet nga tërmeti

schedule16:21 - 22 Shtator, 2019

schedule 16:21 - 22 Shtator, 2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi se institucioni i drejtuar prej tij do të akordojë një shumë prej 1 milion dollarësh në funksion të riparimit të gjithë dëmeve dhe problematikave të shkaktuara nga tërmeti. Veliaj theksoi se të gjithë administratorët e Bashkisë do të jenë në terren për të bashkëpunuar dhe për t’iu gjendur në ndihmë çdo qytetari që ka nevojë.

Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion një fond prej 1 milion dollarësh për të kaluar fazën e parë të problematikave që shkaktuan lëkundjet e tërmetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se vendimi do të merret sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

“Brenda ditës akordojmë një fond rreth një milion dollarë për këtë fazë të parë të emergjencave. Do kemi një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak për të adresuar këtë çështje dhe për të hequr paratë nga diçka tjetër”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka nisur një fushatë për mbledhjen e ndihmave për të gjithë familjet e prekura nga tërmeti. Nën sloganin Tirana solidare, Veliaj kërkoi nga qytetarët që të bashkëpunojnë me administratorët në mënyrë që të marrin ndihmën për të cilën ata kanë nevojë.

Mijëra qytetarë i janë bashkuar nismës së Bashkisë ndërkohë që sipas të dhënave të gjithë institucionet arsimore do të jenë të hapura për ditën e hënë./ABC News Albania 24/7