Mungesa e farmacisë është problemi kryesor për banorët e bashkisë e Pustecit. Këta banorë janë të detyruar të udhëtojnë drejt Korçës, kryesisht të moshuarit janë ata që nuk e përballojnë dot për xhepat e tyre.
Bashkia e Pustecit mund të jetë e vetmja në vend që nuk një farmaci. Farmacia e fundit u mbyll rreth 3 vjet më parë.
“Farmaci tani nuk kemi. Kemi pasur, por ka dy tre vite që iku në Amerikë”, u shpreh një qytetare.
Për të kursyer paratë, por dhe nga pamundësia të moshuarit porosisin mjekët që ilaçet t’ua sjellin nga Korça.
“Të moshuarve ia sjell doktori. Në që jemi më të rinj njëherë në një javë apo njëherë në dy javë shkojmë në Korçë”, shprehet ajo.
Të tjerët hera herës rrezikojnë dhe shëndetin se jo gjithmonë kanë mundësi të shkojnë drejt Korçës për të blerë ilaçe.
“Shkojmë ti blejmë në Korçë. Ata që kanë mundësi sepse ata që nuk kanë mundësi qëndrojnë në shtëpi”, thotë një i moshuar.
Pusteci është një Bashki e përbërë nga 9 fshatra me banorë të minoritetit maqedonas, kryesisht në moshë të mesme dhe të tretë.
Pjesa më e madhe e tyre kanë dhe sëmundje kronikë, ndaj për ta është e domosdoshme një farmaci.
/abcnews.al/