Bashkë kundër koronavirusit, stilisti i njohur prodhon maska për stafin mjekësor në New York

schedule10:05 - 23 Mars, 2020

schedule 10:05 - 23 Mars, 2020

Në mes të pandemisë së koronavirusit, spitalet në mbarë botën janë duke u përballur çdo ditë me mungesë të mjeteve mjekësore për t’i ardhur në ndihmë personelit në këtë kohë lufte, çdo ditë e më tepër vihet re nevoja për më shumë maska, veshje mjekësore dhe doreza.

E vërteta qëndron se të gjithë mund të ndihmojmë në përballimin e kësaj krize e përpos të ndenjurit në shtëpi për të reduktuar përhapjen e virusit, stilisti i njohur Christian Siriano, ka edhe një tjetër zgjidhje!

 

“Kam një staf të tërë të cilët mund të ndihmojnë duke punuar nga shtëpia, i kemi të gjitha makineritë për t’ju ardhur në ndihmë duke qepur maska dhe çdo tjetër që do t’ju duhet”. Duke folur për bazaar.com, stilisti ka shpjeguar më tej se ka një fabrikë që mund të prodhojë çdo gjë dhe mund të ndihmojë për përgatitjen e maskave të reja për stafin mjekësor.

Stafi i stilistit të njohur është duke punuar tashmë për prodhimin e mijëra maskave për personelin mjekësor, përfshirë këtu recepsionistët nëpër spitale dhe punonjësit socialë, edhe pse qeveria amerikane ka deklaruar se ka një stok prej 13 milionë maskash për stafin mjekësor.

Siriano kërkon gjithashtu të inkurajojë dhe stilistë të tjerë nga industria e modës, të cilët ndërkohë që qëndrojnë të mbyllur për shkak të masave të marra, të ndihmojnë në përballimin e kësaj krize.

“Nëse të gjithë do të punojmë nga shtëpia për të ndihmuar, kjo krizë do të jetë më e lehtë për t’u përballuar. Nuk ka nevojë për maska të bukura, as moderne, mjafton diçka e bardhë bazike për të ndihmuar ata që vërtet kanë nevojë, është kaq e thjeshtë”, ka përfunduar stilisti./abcnews.al