Kryetari i PD Lulzim Basha ishte pasditen e të hënës në Malësinë e Madhe e në Shkodër. Në bashkëbisedimet me banorë e të rinj, krye temë ishte pasiguria e krijuar për shkak të vrasjeve të muajve të fundit. Basha tha se në Shqipëri nuk do ketë më zgjedhje fasadë.
Situata e krimit në qarkun e Shkodrës ishte shqetësimi kryesor që banorë të Malësisë së Madhe i shprehën kryetarit të Partisë Demokratike. Gjatë bashkëbisedimit nëpër biznese e qytetarë, në këtë zonë, banorët i shprehën frikën që ndjejnë për të shkuar në qytetin e Shkodrës, për shkak të vrasjeve të muajve të fundit.
“Duhet të zbardhen vrasjet ose shteti ka dorë në to”, theksoi kryetari i opozitës.
Basha shpjegoi arsyet pse opozita dorëzoi mandatet parlamentare e premtoi se zgjedhje fasade nuk do të ketë më.
Të njëjtën pasiguri Lulzim Basha e hasi edhe gjatë ndalesës në Shkodër. Në një bashkëbisedim me të rinj të shkolluar jashtë, e që kanë vendosur të jetojnë në Shqipëri, kreu i PD tha se Rilindja është një organizate kriminale, të cilës i ka ardhur fundi.
Lulzim Basha falënderoi qytetaret e Shkodrës për mbështetjen e lëvizjes opozitare për rizgjimin e demokracisë. Pa rizgjimin e lirisë , vlerave evropiane, pasi pa to nuk do ketë çelje të dyerve të Evropës theksoi Basha./abcnews.al