Basha thirrje nga Ballshi: Rrugët politike kanë mbaruar

schedule10:48 - 2 Shkurt, 2019

schedule 10:48 - 2 Shkurt, 2019

Turin e takimeve me qytetarët për t’i ftuar ti’ bashkohen më 16 Shkurt në Tiranë në protestën e thirrur për largimin e Kryeministrit Rama, kryedemokrati Lulzim Basha e vijoi në Ballsh ku qytetarëve i përsëriti qëllimin për heqjen e taksës “Rama” për karburantin dhe hapjen e vendeve të punës me paga dinjitoze. Gjatë bisedave me qytetarët, Basha u shpreh se rrugët politike kanë mbaruar, ndërsa i ftoi që të marrin në dorë fatet e tyre.

Basha bashkëbisedon me një naftëtar i cili ka udhëtuar 140 KM nga Ballshi në Tiranë në këmbë për të kërkuar të drejtën e tij.

Naftëtari: Edi Rama erdhi dhe gënjeu 1 mijë punëtorë dhe u tha, do t’ju jap lekët dhe nuk u ka dhënë asnjë qindarkë.

Basha: Rrugët politike kanë mbaruar. Tani është në dorën e popullit. Është në dorën tuaj.

Naftëtari: Edi Rama erdhi dhe gënjeu 1 mijë punëtorë dhe u tha, do t’ju jap lekët dhe nuk u ka dhënë asnjë qindarkë. Burrë shteti je kur mban fjalën. Ne nuk po themi se fjala mbahet 100%, por të shkojë deri në 60%, si vjen e më gënjen mua? Ne kemi punuar atje dhe ai vjen e thotë do t’ju jap lekët e nuk na i jep.

Basha: Ai ka bërë pasuri për Beson, shokët e Besos dhe miqtë e tij. Ju e dini fare mirë se çfarë i ka bërë lekët ai. Lekët i ka ndarë me njerëzit e tij.
Naftëtari: Kam ardhur në këmbë 140 KM në Tiranë, erdhën naftëtarët thuajse për një pjatë supë. Unë erdha për lekët e mia dhe jo për një pjatë supë. Qëndruam edhe në shi dhe nuk erdhi asnjë qeveritar.

Basha: Unë e kam ndjekur problemin e naftëtarëve që në fillim. Ne jemi në pellgun më të madh naftëmbajtës të Europës. Në Bashkinë ku vjen era naftë, këtu nuk ka një qindarkë për naftën që përpunoni. Statusin e naftëtarit nuk ju dha. Sepse paratë shkojnë vetëm në një drejtim. Kjo punë do të zgjasë derisa ju t’i jepni fund. Ejani në Tiranë më 16 shkurt t’i jepni fund! Edi Rama ju ka lënë në harresë, kjo lexohet e kuptohet sapo ju jap dorën, akoma pa shprehur hallet tuaja.

Në Ballsh më shumë se dielli që ka dalë dhe nuk e ka kohën, mikëpritja, entuziazmi, besimi dhe shpresa tek e nesërmja, që gjeta në çdo shtrëngim dore, dhe çdo urim tuajin. Kemi qenë së bashku shpeshherë gjatë këtyre viteve në këtë shesh, në rrugë, në fshatra, shtëpitë tuaja, me kryetarin e Bashkisë, deputetët e zonës, kemi qarë hallet bashkë.

Nuk harroj vizitat që kam pasur me familje të cilat kanë humbu kryefamiljarë, në aksidente të përsëritura, me papunësinë që sa herë kam ardhur e kam gjetur më të shtuar,m me sipërmarrjen që është në krizë totale me rënien e fuqisë blerëse.

Sa herë që vij rruga nga Patosi deri këtu bëhet më e keqe dhe akoma më e keqe nga këtu e në Fratar. Zemërimi juaj, zhgënjimi juaj, nga braktisja totale dhe harresa që ju ka lënë Edi Rama dhe banda me të cilën sundon vendin, lexohet e kuptohet sapo ju jap dorën, akoma pa shprehur hallet tuaja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!